Klosi në Prespë: Festa lokale për promovimin e produkteve tradicionale

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Një festë e vërtetë lokale u organizua në liqenin e Prespës, ku dita e pijes së verës dhe produkteve tradicionale lokale mblodhi qindra qytetarë, që kaluan një fundjavë ndryshe.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se “ne jemi sot në Prespë për t’i dhënë shumë më tepër entuziazëm të gjithë projektit tonë të festave lokale, të organizuara këtë vit pothuajse në 100 fshatrat të përzgjedhur si fshatrat e parë të transformimit rural të vendit, por duke i bashkuar edhe me agroturizmin”.

“Ajo çfarë ne synojmë gjatë realizimit të këtyre festave është që shumë më tepër turistë të vizitojnë Prespën, shumë më tepër konsumatorë të produkteve lokale, të produkteve tradicionale, shumë më tepër konsumatorë të bukurive natyrore, shumë më tepër biznes, shumë më tepër mirëqenie, punësim dhe ekonomi për banorët e Pustecit dhe zonave rurale, ky është objektivi që ne i kemi vënë vetes”, tha ministri Klosi.

Për ministrin Klosi, festat lokale vijnë në zbatim të planit 365 ditor të masave për një turizëm më të qëndrueshëm dhe më cilësorë, ndërsa në fokus është promovimi i vlerave të liqenit, kombinuar me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe me traditën e një feste lokale, për ta shndërruar Shqipërinë në një magnet për më shumë ekonomi.

“Edhe këtu në Pustec duhet të shtojmë informacionet turistike, duhet të përgatisim guidat e vërteta turistike që shoqërojnë turistët, qoftë në zonën rurale apo të malit, ashtu edhe në zonën e liqenit. Kemi nevojë me shpejtësi për disa pika të vërteta agroturizmi”, tha ministri.

Ai nënvizoi se qeveria ka filluar të japë ndihmën financiare duke reduktuar kostot e operimit.

“Kemi ulur TVSH-në, e kemi bërë 5% dhe tatimfitimin po 5%, duke dhënë po të njëjtin status që kanë hotelet me 5 yje, bizneset dhe agrobiznesi lokal. Dhe duke i dhënë të gjitha këto, ne kërkojmë që të rrisim prodhimin e brendshëm dhe lokal”, u shpreh ministri Klosi, gjatë festës lokale të pijes së verës.

Aktiviteti kulmoi me shpalljen e disa çmimeve, për gatimin më të mirë të zonës, për verën më të mirë të prodhuar nga vendasit, si edhe për fotografinë më të mirë në liqenin e Prespës. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.