Gjelbërimi i Tiranës, bashkia synon mbjelljen e 150 mijë fidanëve të rinj

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ – Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vijoi edhe këtë të dielë fushatën e mbjelljes së pemëve në Tiranë.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, fëmijëve, por edhe më të mëdhenjve, që të shfrytëzojnë kohën e mirë dhe festat e muajit shkurt dhe mars për të mbjellë një pemë.

“Duhet t’u bëjmë thirrje të gjithë kalamajve për shembull për një ditëlindje, për 7-8 Marsin, për ndonjë festë tjetër. Do t’u themi gëzuar ditëlindjen, por duke mbjellë një pemë. Mund ta mbjellim edhe te shtëpia; mund ta mbjellim dhe te shkolla; te lagjja. Pra, mund të mbjellim pemë kudo. Sikur të gjithë kalamajtë e Tiranës të mbjellin nga një pemë për ditëlindje, do të kemi 100 mijë pemë”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës është angazhuar për të tretin vit radhazi në një fushatë të gjerë për mbjelljen e pemëve. Vitin e shkuar ajo arriti të mbjellë rreth 126 mijë pemë, ndërsa këtë vit synohet të mbillen 150 mijë pemë.

Nismës së bashkisë së Tiranës ju bashkua edhe gazetarja, Rudina Xhunga e cila zgjodhi ta festojë ndryshe 6 vjetorin e lindjes së vajzës së saj, Alana. Ajo mbolli një pemë manjolë në kodrat e Parkut të Liqenit Artificial.

Kryebashkiaku Veliaj uroi Alanën për ditëlindjen e saj dhe falenderoi gazetaren Xhunga që iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës, që të gjithë qytetarët çdo gëzim dhe moment të rëndësishëm në jetë ta kremtojnë duke mbjellë një pemë sepse i lënë qytetit një pajë të gjelbër. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.