S&P vlerëson ekonominë shqiptare, ndikuan reformat dhe konsolidimi fiskal

– S&P konfirmon rritjen ekonomike dhe uljen e rreziqeve
TIRANË, 2 shkurt/ATSH/- Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit S&P konfirmon vlerësimin aktual B+ për Shqipërinë me pritshmëri të qëndrueshme. Ky konfirmim bazohet në rritjen e qëndrueshme ekonomike në rreth 4% mbështetur nga përmirësimi i klimës të biznesit dhe investime të huaja direkte solide.
Ministria e Financave, thotë se S&P parashikon vazhdimin e konsolidimit fiskal duke parë angazhimin e autoriteteve në ligjin (rregullin fiskal) për uljen e borxhit.
S&P vlerëson se performanca fiskale e Shqipërisë pritet të mbetet relativisht e fortë gjatë horizontit të saj të parashikimit deri në vitin 2022 dhe vëren, se Shqipëria në aspektin fiskal tejkalon vendet e ngjashme  të Ballkanit Perëndimor që janë në të njëjtën kategori të vlerësimit. Kjo është rezultat i një perspektive për një rritje të shëndetshme dhe respektimit të ligjit (rregullit fiskal) të frenimit të borxhit.
S&P parashikon që deficitet e përgjithshme të qeverisë do qendrojnë në mesatarisht 2% të PBB-së në vit gjatë 2019-2022. Rritja e të ardhurave pritet të mbetet e qëndrueshme mbështetur nga një performancë të  fortë ekonomike dhe përpjekjet e koordinuara për mbledhjen e të ardhurave.Konsolidimi i përgjithshëm fiskal do të çojë në zvogëlimin e stokut të borxhit neto të Qeverisë në rreth 60% të PBB-së deri në fund të vitit 2022.
Autoritetet po ndjekin në mënyrë aktive përpjekjet për të rritur qëndrueshmërinë e borxhit. Ndërkohë  raporti nuk sheh kufizime huamarrjeje për sektorin publik në tregun e brendshëm, vëren se qeveria ka të ngjarë të vazhdojë të kërkojë mundësi për t’u financuar jashtë vendit në afate më të gjata, veçanërisht duke pasur parasysh emetimin e suksesshëm të Eurobondit vitin e kaluar me kushte të favorshme. S&P pret që rreziqet do të ulen më tej ndërkohë që borxhi i qeverisë do zvogëlohet.
S&P vëren se administrata tashmë ka bërë përpjekje për të rritur sundimin e ligjit dhe për të luftuar ekonominë informale. Deklarata e vitit të kaluar në Sofje përcaktoi, se negociatat e pranimit në BE për Shqipërinë ka të ngjarë të fillojnë në 2019.
Aspiratat e forta të anëtarësimit në BE gjithashtu nxitën Qeverinë të kalojë reformën gjyqësore vitin e kaluar, e cila synon të krijojë një gjyqësor më të pavarur. Reforma ka potencial për të përmirësuar në mënyrë të qëndrueshme mjedisin e biznesit të vendit, për shembull, duke rritur efektivitetin e zbatimit të të drejtave të pronësisë.
Qeveria pritet të vazhdojë agjendën e reformave strukturore, pavarësisht  riorganizimit të kohëve të fundit të kabinetit, duke mbështetur rritjen ekonomike./k.s/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.