Rektorët dhe dekanët zihen për tenderat e rojave, jo për studentët

TIRANE, 2 shkurt/ATSH/- Në bashkëbisedim me studentët tek konviktet e Universitetit të Mjekësisë, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Bordet e Universiteteve kanë shumicë nga qeveria, pasi është e vetmja gjë na siguron të kemi në sy mënyrën si harxhohen lekët”.

“Keni dëgjuar ju konfliktin rektorit me dekanët? E dini për çfarë bëhet konflikti? Bëhet për tendera. Nuk ka lidhje fare me ju, me ëndrrat dhe shpresat, por tenderat, rojat. Paguajnë për rojat e universitetit një mal me lekë. S’ka nevojë të merren roja private për universitetin. Pse duhet të marrim roja private për Universitetet? Universitetet mund të kenë rojat e tyre në organikë. Nuk ka nevojë. Nëse ka diçka më shumë se një rojë i thjeshtë, siç i kemi pas ne në universitet, vjen policia”, – tha Rama.

Ai shtoi se “ato janë para pafund që fare mirë oniversiteti mund t’i përdorë për këtë bibliotekën. Autonomia është gjëja e duhur, demokracia është gjëja e duhur, ndarja e pushteteve është gjëja e duhur. Problemi është se dallimi mes vendeve të konsoliduara dhe vendeve në zhvillim është pikërisht ky. Dallojmë sa të forta i kemi institucionet dhe sa të përgjegjshëm i kemi ata që merren me ndërtimin e institucioneve”./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.