Brenda mandatit qeverisës përfundon infrastruktura e universiteteve dhe logjistika e tyre

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/- Brenda këtij mandati qeverisës do të përfundojmë infrastrukturën e universiteteve dhe logjistikën e tyre.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një bisedë me studentët në sallën e re të rikonstruktuar të studimit te Konviktet e Mjekësisë, ku ishin të pranishëm edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Ne kemi shkuar shumë më tutje se kërkesat e studentëve. Një nga ato pika ku ne kemi shkuar më tutje është krijimi i partneriteteve mes ministrive dhe universiteteve sipas fushave. Kjo do të thotë që Ministria e Shëndetësisë do të ndjekë Universitetin e Mjekësisë dhe problematikat e komunitetit të studentëve dhe pedagogëve si një partner, duke vënë në dispozicion edhe burime financiare për aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me nevojat e universiteteve”, – nënvizoi Rama.

Po kështu, vijoi Rama, edhe me universitetet e tjera kemi konstatuar probleme. Ajo që po bëjmë është se çdo ministri sipas fushave specifike të partneriteteve me universitetet, me fakultetet përkatëse po ngrenë grupe pune për të bërë gjithë inventarin e nevojave të infrastrukturës apo logjistikës, si dhe studimin e hapësirave të tjera nga pikëpamja e infrastrukturës apo logjistikës, pra hapësira studimi, logjistikë, mjete, laboratorë etj.

Kreu i Qeverisë u shpreh se “mbi bazën e të gjithë këtyre investimeve do të ndërtohet projekti i zbatimit i këtij aspekti të Paktit të Universitetit”.

“Me hapësirën fiskale të krijuar nga spostimi i projektit të partneriteti publik privat Thumanë-Kashar tek Pakti për Universitetin kemi në dispozicion një shumë të konsiderueshme financimi në bashkëpunim me sipërmarrjen private për të filluar pasi të kemi projektzbatimin, për të bërë një thirrje publike dhe për të lidhur kontrata për fillimin e punimeve dhe për adresimin në të dyja këto drejtime në infrastrukturë dhe logjistikës”.

Kryeministri bëri të ditur se “do të fillojë ndërtimi i kampusit universitar dhe ndërtimet në të gjitha universitetet dhe fakultetet dhe do të drejtohen problemet e logjistikës, të laboratorëve dhe mjeteve”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.