Zv/ministrja Voda: Si do t’i menaxhojmë kufijtë në bashkëpunim me FRONTEX

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ “Marrëveshja me Agjencinë Europiane të Rojave Bregdetare dhe Kufirit, FRONTEX për menaxhimin e kufijve në kuadër të përballimit të fenomenit të emigracionit, është një vlerë e shtuar dhe fokusi i saj është lufta kundër migracionit të paligjshëm, si dhe rritja e numrit të operacioneve të kthimit, apo pranimit të migrantëve nga vendet e treta që vijnë në Shqipëri”.

Kështu deklaroi në një intervistë në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Doda.

“Kjo marrëveshje ndikon patjetër në rritjen e sigurisë kombëtare, në luftën kundër krimit ndërkufitar në kufijtë e Shqipërisë me vendet e BE-së. Aty do të jenë të fokusuar edhe oficerët e FRONTEX, që do të punojnë bashkë me oficerët tanë të Kufirit dhe Migracionit. Kryerja e këtyre operacioneve të përbashkëta do të shërbejë si një lloj trajnimi për policinë tonë kufitare. Sigurisht do të kemi edhe mbështetje logjistike nga ana e FRONTEX për të mbikëqyrur kontrollin kufitar në kufi me vendet e BE-së, me Greqinë dhe Italinë”, – nënvizoi Voda.

Zv/ministrja Voda u shpreh se “kjo është një nga marrëveshjet më të rëndësishme të firmosura nga qeveria shqiptare me Bashkimin Europian, në kuadër të zgjerimit të një marrëdhënie operacionale me FRONTEX”.

Sipas saj, Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para të Ballkanit Perëndimor që ka finalizuar këtë marrëveshje.

Lidhur me disa marrëveshje të nënshkruara me Kosovën në fushën e sigurisë, Voda tha se “në takimin ndërqeveritar të zhvilluar ditën e djeshme në Kosovë diskutuam mbi zbatimin e marrëveshjeve të përbashkëta të dy qeverive të nënshkruara në mbledhjen e fundit që u mbajt në Pejë”.

“Së fundmi, po shohim një bashkëpunim realisht të ngushtë me fokus implementimin, pra jo thjesht vetëm hartimin e marrëveshjeve, me qëllim që qytetarët e dy vendeve të kenë mundësi të përfitojnë nga këto marrëveshje”, tha Voda.

Zv/ministrja Voda bëri të ditur se “në pikën e kalimit kufitar Morinë-Vërmicë që prej hyrjes në fuqi më 1 janar 2019 të marrëveshjes mes dy vendeve, është reduktuar me 50% koha e pritjes së qytetarëve dhe automjeteve, si dhe është lehtësuar qarkullimi i mallrave”.

Përsa i përket pranimit të të rinjve që kanë përfunduar me rezultate të larta, në Policinë e Shtetit, proces që ka nisur nga dita e sotme (1 shkurt), Voda tha se “në total numri me gradën nënkomisar që ne kemi mungesa është 300. Por në këtë konkurs të parë do të hapen 150 vende që nuk janë pak, pra do të kemi 150 studentë shumë të mirë, që do të konkurrojnë dhe do të jenë pjesë e Policisë së Shtetit”.

“Ministri Lleshaj, i cili ka qenë një promotor i kësaj ideje tha sot se kjo është faza e parë. Ky konkurs brenda vitit do të përsëritet për të hapur edhe 150 vende të reja”, – tha Voda, duke shtuar se aplikimi do të jetë online nga 1-15 shkurt. /k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.