Reformat rritën ekonominë, vlerësohen edhe nga FMN

116

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/- “Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e vlerëson me notën më të lartë ekonominë shqiptare”.

Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në një prononcim për ATSH-në, ndërsa theksoi se, ekonomia shqiptare ka pësuar rritje dhe ka përfituar shumë nga reformat që ka ndërmarrë qeveria, konfirmuar edhe nga raporti i FMN-së.

“Rritja ekonomike prej 4,2% në vitin 2018 është për t’u përshëndetur dhe ka ardhur si shkak i reformave që ka ndërmarrë kjo qeveri, reforma të cilat vlerësohen edhe nga FMN-ja”, tha Bushati.

Ndër të tjera raporti i FMN-së përshëndet Bankën e Shqipërisë, e cila nuk ka ndërhyrë me kursin e këmbimit, ka inflacionin në kontroll dhe deficiti buxhetor ndaj PBB-së që është nën 2%.

“Ne jemi një ndër vendet më të pakta, ndoshta i vetmi në Europë në dijeninë time, që e ka deficitin buxhetor në raport me PBB-në 2 herë më të ulët se rritja ekonomike”, u shpreh Bushati, duke iu referuar FMN-së që vlerëson me notat më të larta pozitive daljen në tregjet ndërkombëtare të Eurobondit, uljen e nivelit të kredisë me probleme e reformën në drejtësi.

​”Sot ne vazhdojmë të mbajmë vetëm prej besueshmërisë një nivel investimesh të huaja direkte që janë te 1 miliard euro në vit dhe sfidat shqiptare patjetër që janë të shumta, si të çdo ekonomie në rritje, konvergjenca, pra rritja e të ardhurave të qytetarëve po shkon drejt përafrimit me atë të Komunitetit dhe të Bashkimit Europian”, theksoi Bushati. e.xh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.