Lleshaj: 150 universitarë do t’i bashkohen Akademisë së Sigurisë

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ – Rreth 150 universitarë duke nisur që nga dita e sotme do t’i bashkohen Akademisë së Sigurisë.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e konsideron hapjen e aplikimeve  për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, si një ngjarje historike.

Ministri bën të ditur se 150 universitarët do t’i bashkohen më pas edhe strukturave hetimore të Policisë së Shtetit.

“Brenda vitit një grup i dytë i ngjashëm do të pasojë”, deklaron ministri Lleshaj.

Në zbatim të urdhrit të ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, duke nisur nga sot deri në datë 15 shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.