Konfirmimi në detyrë i prokurorit Kosova, ONM rekomandon ankimim

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ – Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i paraqiti sot Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Adnan Kosovës, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

“Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/”, bën të ditur IKP.

Sipas IKP, Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në përfundim të seancës dëgjimore vendosi më 20 dhjetor 2018 konfirmimin në detyrë të Adnan Kosovës, prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Adnan Kosova, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 30 janar 2019./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.