Investimet e huaja u rritën me 11,6%, kryesojnë sipërmarrjet nga BE

Krahas investimeve në sektorë strategjikë, po rriten ndërmarrjet dhe bizneset me pronarë të huaj 

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/- Investimet e huaja direkte në Shqipëri, gjatë nëntëmujorit 2018, rezultuan me një rritje prej 11,6% kundrejt të njëjtës perudhë së një viti më parë, bëri të ditur Ministria e Financave dhe e Ekonomisë.

Sipas kësaj ministrie, pritshmëritë janë që investimet e huaja direkte të arrijnë rreth 1 miliard euro, në përllogaritjen e vitit të plotë 2018, duke shënuar kështu rritje për të tretin vit radhazi.

“Pavarësisht se projektet e mëdha energjetike kanë hyrë tashmë në fazën përfundimtare të ndërtimit, me një konfidencë të lartë mund të them, se investimet e huaja direkte do të arrijnë rreth 1 miliard euro për të tretin vit radhazi, një sinjal ky mjaft pozitiv për perceptimin e investitorëve të huaj mbi ekonominë tonë”, thekson Ministria e Financave.

Referuar shifrave zyrtare, krahas investimeve të huaja në sektorë strategjikë të ekonomisë së vendit, reformat që ka marrë qeveria në përmirësimin e klimës së biznesit dhe ulja e barrës fiskale, ka sjellë vitet e fundit, rritje të ndjeshme të ndërmarrjeve dhe bizneseve të huaja në vendin tonë.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT, konfirmojnë se, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zunë 3,9% të ndërmarrjeve aktive në vendin tonë, me rritje 3,5% krahasuar me vitin 2016.

Në këtë shifër, ndërmarrjet nga vendet Bashkimit Europian përfaqësojnë 66,7% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta.

INSTAT bën të ditur se, ndërmarrjet me pronarë apo bashkëpronarë me origjinë italiane dhe greke përfaqësojnë 54% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta gjithsej. Aktivitetet ekonomike të këtyre ndërmarrjeve shtrihen kryesisht në sektorin e shërbimeve, tregtisë dhe prodhimit.

Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta janë përqendruar kryesisht në bashkitë Tiranë dhe Durrës, me 77.9%. Por trend në rritje po merr aktivitetit i biznesit të huaj edhe në sektorin e turizmit dhe agropërpunimit në vendin tonë.

Sipas INSTAT, në fund të vitit të kaluar u shënuan 162.452 ndërmarrje aktive, (pa sektorin bujqësor) duke regjistruar një rritje prej 1,1%, krahasuar me vitin 2016, rritje e cila parashikon të përvijohet edhe më e lartë, në të dhënat për vitin 2018. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.