Berat, 2400 banorë të Kutallisë me ambulancë tërësisht të transformuar

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ – Ambulanca e Goriçanit, në njësinë administrative Kutalli, Berat, i është nënshtruar rehabilitimit të plotë, duke përmirësuar nga themelet shërbimin që ofron për rreth 2400 banorë të zonës.

E ndërtuar në vitin 1950, infrastruktura e amortizuar nuk ofronte as kushtet më minimale për kryerjen e një vizite mjekësore. Ambulanca e re ishte ndalesa e parë e Kryeministrit Edi Rama, sot në Berat.

“Ambulanca e Goriçanit, më parë nuk ka qenë funksionale, nuk ofrohej shërbim për qytetarët dhe përmbytej prej shumë kohësh. Është një ndërtim i vitit 1950 që tani është  rehabilituar. Është një ambulancë e vogël që i shërben 2400 banorëve të zonës, por që ofron shërbime të rëndësishme për të gjithë ata”, – shpjegoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Pjesë e personelit është edhe një mjek i ri, i arsimuar jashtë vendit, i cili dëshmon se ndryshimi i kushteve në të cilat punon aktualisht është si nata me ditën.

“Kam studiuar në Itali dhe kam ardhur të jap shërbimin tim këtu. Para tre vitesh kur unë kam ardhur, qendra këtu ka qenë e rrënuar, me lagështirë dhe e papërshtatshme. Tani është krejt ndryshe dhe në ndihemi më komodë. Gjithashtu 50% e hapësirës që ka qenë e pashfrytëzuar, tani është funksionale dhe ne e kemi vënë në dispozicion për njësinë bazë të checkup dhe konsultoren e gruas”, – shprehet mjeku i ri.

Por dëshmitarët më të rëndësishëm janë qytetarët, vizitorë të saj prej dekadash “Qendra ka qenë shumë keq. Një shi të binte mbushej deri në brez. Tani kjo është bërë për mrekulli”, shprehet një prej tyre.

“Në krahasim me çfarë ka qenë më parë është shumë herë më mirë. Kemi qenë në kushte jashtë normave për pacientët, por edhe për ne personelin”, – thotë një prej infermiereve, e cila punon prej tre vjetësh në këtë ambulancë.

Ndërkohë që kabineti i kontrollit mjekësor bazë hapet për herë të parë në këtë ambulancë.

Ministrja Manastirliu shprehet se me rehabilitimin e qendrave shëndetësore dhe me hapjen e kabineteve të reja, mbulimi i kontrollit mjekësor bazë do të jetë shumë më i lartë.

“Kabineti i kontrollit mjekësor bazë për herë të parë hapet në këtë ambulancë. Me rehabilitimin e qendrave shëndetësore dhe me hapjen e kabineteve të reja, sigurisht edhe mbulimi i kontrollit mjekësor bazë do të jetë shumë më i lartë. Kjo ishte një ambulancë që kishte nevojë ta kishte këtë kabinet. Por duke qenë se kanë qenë kabinetet totalisht jofunksionale, nuk arritëm dot që ta sillnim. Tani ka shumë lehtësi për qytetarët për ta kryer në kohë kontrollin. Për Qarkun e Beratit këtë vit kemi përfunduar rehabilitimin e 5 qendrave shëndetësore dhe ambulancave. Për vitin tjetër janë 100 qendra shëndetësore dhe ambulanca”.

Ambulanca e Goriçanit është një prej 10 ambulancave të rehabilituara në bashkinë e Urës Vajgurore. Një investim tjetër shumë i rëndësishëm për këtë bashki është edhe Qendra Multifunksionale në Poshnje, e cila pritet të nisë shumë shpejt funksionimin.

Lidhur me këtë, kryetarja e bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj u shpreh se “në territorin e bashkisë Ura Vajgurore ka qenë një theks i veçantë për çështjet sociale, sidomos për çështjet e shëndetësisë dhe arsimit parashkollor. Në këto tre vite është e bërë e mundur që të ndërhyhet në 10 ambulanca”.

“Ambulanca e Goriçanit është një prej tyre, është ndërhyrë edhe në tre qendra shëndetësorë të tjera. Njëra është e lidhur me njësinë administrative Poshnje, Qendra shëndetësore në Kutalli. Këtyre investimeve iu shtohet edhe qendra multifunksionale që u vjen në ndihmë personave me aftësi të kufizuar në Poshnje. Për herë të parë, bashkia mund të ketë një qendër të tillë, e cila do të fillojë nga puna besojmë nga marsi, pasi është në përfundim të rikonstruksionit të saj”, tha Memaj.

Kjo ambulancë është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të programit për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të këtij mandati qeverisës. Faza e dytë e këtij programi nis këtë vit me 100 qendra të tjera. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.