“100 fshatrat”, Margariti: Roshniku, destinacion i turizmit

TIRANË, 1shkurt /ATSH – I. Vata/ – Fshati Roshnik nuk ka vetëm potenciale të zhvillimit rural, por ka vlera të lashta të qytetërimit, një arkitekturë fantastike të ndërtesave dhe në sfond malin e Tomorrit me legjendat e tij që e bëjnë një destinacion për turistët vendas dhe të huaj. Kështu  tha sot, ministrja e Kulturës Elva Margariti, gjatë prezantimt të projektit të “100 fshatrat” në Roshnik, Berat.

Në fjalën e saj, ministrja Margariti u shpreh se kishte pasur rastin të vijë në Roshnik para se investimi të niste. “Kemi bërë vizitë bashkë me grupin e akademisë të cilët kanë qenë të mirëpritur ku bujtina ende nuk kishte filluar punën”, tha ajo.

“Ajo që kam vënë re në Roshnik ka qenë fryma e bashkëpunimit e komunitetit. Familja ka qenë magnet për fshatin dhe më vjen mirë që familja ka dëshirën e mirë për të bashkëpunuar, sepse programi për 100 fshatrat është vërtet një bashkim jo vetëm nevojash, por dhe forcash për të ecur përpara”, tha ajo.

Ministrja vlerësoi vlerat arkitekturore të Roshnikut dhe theksoi se ka gati projektin për rivitalizimin.

“Nuk mund të bëhet vetëm me mbështetjen e qeverisë por duhet pikë së pari, puna dhe dëshira juaj e mirë. Më ka bërë përshtypje se si fshati ka ruajtur një pjesë të mirë të trashëgimisë në aspektin e arkitekturës. Kemi një pjesë shumë të bukur edhe një qendër me kalldrëmet që kanë nevojë të risistemohen. Banesa fantastike atje sipër dhe meritojnë të rikualifikohet dhe kemi miratuar projektin e restaurimit, tani është gati, kemi koston për të, kemi ekspertët që janë të angazhuar për të ecur para shumë shpejt. Jemi gati t’i japim atë pjesë së historisë së munguar, sepse Roshiku, nuk është pjesë vetëm e zhvillimit rural, por dhe mbart një vlerë të qytetërimit të lashtë dhe këto janë pjesë e memories dhe nuk duhen harruar”, tha Margariti. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.