Shkodër, projekte infrastrukturore në Shirokë dhe Zogaj

TIRANË, 31 janar/ATSH/ – Shiroka dhe Zogaj në Shkodër shumë shpejt do të jenë përfituese të një projekti të rëndësishëm, që synon përmirësimin rrënjësor të sistemit të ujësjellësit, të përpunimit të ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbetjeve.

Në një workshop të zhvilluar sot në Shkodër, u zbulua projekti me vlerë prej 400.000 euro  dhe me kohëzgjatje prej 9 muajsh dhe që financohet nga WBIF (Korniza e Financimit të Ballkanit Perëndimor) dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë Shkodër dhe Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër, të cilat janë edhe përfitueset e projektit.

Në kuadër të këtij projekti do të përgatiten një studim fizibiliteti, projekti teknik dhe vlerësimi i ndikimit mjedisor dhe social për rrjetin e infrastrukturës së ujësjellësit, ujërave të zeza dhe menaxhimit të mbetjeve për fshatrat Shirokë, Zogaj dhe lagjen e romëve tek Ura e vjetër e Bunës.

“Qëllimi është që në fund të muajit shtator 2019, të kemi gati gjithë dokumentacionin teknik të nevojshëm për të siguruar financimin e projektit të zbatimit nga BERZH (Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim)”, bën të ditur bashkia e Shkodrës. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.