SHBA – Pompeo: Samiti Trump-Kim do të zhvillohet në Azi

UASHINGTON, 31 janar /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka bërë të ditur se samiti i dytë midis presidentit të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, do të mbahet në Azi.

Në një intervistë për “Fox News”, Pompeo tha se “ne do ta realizojmë atë diku në Azi”.

“Tani është koha që ekipi im dhe e gjithë qeveria e SHBA-së të punojmë me koreano-veriorët për të përmbushur angazhimin tonë për denuklearizimin e gadishullit”, tha Pompeo.

Pompeo po ashtu theksoi se “lideri Kim na ka thënë se është i përgatitur ta bëjë këtë dhe tani misioni është të arrihet kjo gjë.”.

Më herët SHBA dhe Koreja e Veriut kishin rënë dakord të mbanin një samit tjetër në muajin shkurt midis liderëve të tyre gjatë një takimi midis Pompeos dhe zëvendësit të liderit koreano-verior, Kim Yong Chol.

Trump dhe Kim mbajtën samitin e tyre të parë në Singapor vitin e kaluar, takim në të cilin u kërkua t’i jepet fund programeve bërthamore të Koresë së Veriut e cila është nën sanksione të ashpra të OKB-së që nga viti 2016.

Të mërkurën e kaluar, Pheniani kërkoi lehtësim nga sanksionet e OKB-së për të “rritur besimin” para samitit./    /os/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.