Rritja reale ekonomike 4,4%, trend përshpejtues përgjatë 5 viteve radhazi

TIRANË, 31 janar/ATSH/- “Prej 5 vitesh rresht ekonomia duket se ka vijuar të ndjekë trendin përshpejtues të ritmit të rritjes. Në nëntë muajt e parë të vitit 2018 ekonomia u rrit në terma realë me rreth 4,4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Financave, Anila Denaj, gjatë fjalës së saj në Kuvend për prezantimin e objektivave të Aktit Normativ i buxhetit 2018, si dhe elementët specifikë të tij.

Duke paraqitur shkurtimisht zhvillimet kryesore makroekonomike gjatë vitit 2018, ministrja theksoi se “gjatë kësaj periudhe, po sidomos për tremujorin e tretë, kërkesa e brendshme është nxitur kryesisht nga kontributi i konsumit, po në një masë të konsiderueshme edhe nga ai i investimeve totale në ekonomi”.

“Konsumi final total, i cili përbën peshën më të madhe në ekonomi, u rrit me rreth 2,83% në terma realë vjetorë përgjatë nëntë muajve të parë të 2018, ndërsa konsumi final i popullatës u rrit me rreth 3,41%”, tha Denaj.

Sipas saj, investimet totale u rritën me rreth 3,89% në terma realë vjetorë përgjatë të njëjtës kohë.

“Ndërkohë vetëm për tremujorin e tretë të vitit 2018 norma e rritjes për investimet u zgjerua në 5,40%”, u shpreh Denaj.

Ministrja e Financave theksoi se “rritja e Produktit të Brendshëm Bruto ishte përgjithësisht e diversifikuar në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Sektorët me kontributin më të lartë ishin ai i industrisë i ndjekur nga sektori i shërbimeve, ku spikat sektori i turizmit. Gjithashtu edhe sektorët e bujqësisë dhe të ndërtimit patën një rritje dhe kontribut të qenësishëm pozitiv”.

Vlen për t’u përmendur, vijoi ajo, se edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin më të fundit të tij të bërë publik para dy ditësh ka rishikuar për herë të dytë në rritje projeksionin e saj duke e çuar në nivelin 4,2%.

Performanca e mirë ekonomike ka sjelle zhvillime pozitive edhe në tregun e punës.
“Sipas statistikave të anketës së forcave të punës nga INSTAT, norma e papunësisë (për grup moshën 15-64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014 ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 12,7% në T3-2018. Punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2018 u rrit me 21.5 mijë të punësuar krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë”, tha ministrja Denaj.

Ndërsa bazuar në statistikat e Bankës së Shqipërisë, shtoi ajo, bilanci i pagesave (BP) për periudhën janar-shtator të vitit 2018, shënoi përmirësim kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë duke arritur vlerën +97.6 milionë euro.

“Komponenti më i rëndësishëm pozitiv ishin flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD). Këto të fundit rezultuan me një rritje me rreth 11,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017”, tha Denaj.

Sipas saj, pavarësisht se projektet e mëdha energjetike kanë hyrë në fazën përfundime fundit të përfundimit të tyre investimet e huaja direkte arrijnë shifrën e 1 miliard euro për të tretin vit radhazi, një trend pozitiv që shpreh konsideratë në raport me klimën e biznesit në Shqipëri.

“Ndërkohë që inflacioni mesatar për vitin 2018 ka rezultuar në nivelin 1,8%, po aq sa edhe një vit më parë”, tha ministrja. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.