Pakti për Universitetin/ Ministria e Kulturës dhe Artet marrëveshje për zgjidhjen e problematikave

TIRANË, 31 janar/ATSH/- Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Arteve pritet të hartojnë një draft marrëveshje përmes një grupi pune të përbashkët me qëllim parashtrimin, diskutimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për problematikat e këtij universiteti.

Kjo u diskutua në takimin e zhvilluar në vijueshmëri të hartimit dhe zbatimit të Platformës së Ministrisë së Kulturës në kuadër të “Paktit për Universitetin”.

Në takim ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe grupi i punës së ngritur pranë këtij institucioni me drejtuesit e Universitetit të Arteve, rektorin Kastriot Çaushi, dekanët Petrit Malaj, Isak Shehu, Ardian Isufi, zv/rektori Pjetër Guralumi, administratorja Alma Sinanaj etj.

Ministrja Margariti theksoi gatishmërinë e saj dhe të institucionit që drejton për vendosjen e një marrëdhënieje të ngushtë bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Arteve.

Rektori i Universitetit, Kastriot Çaushi parashtroi nevojat parësore të këtij institucioni që kanë të bëjnë me investime në infrastrukturë dhe mbështetje financiare në projektet kulturore të hartuara nga ky institucion.

Në konkluzionet e mbledhjes u la detyrë hartimi i një draft marrëveshje paraprake mes dy institucioneve ku do të përcaktohen edhe termat e bashkëpunimit, si dhe përcaktimi i mbledhjes së radhës për të vijuar me hapa konkretë në gjetjen e zgjidhjeve të problematikave të diskutuara. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.