Llixhat në Dibër, Xhaçka: Vendimi do anulohet, Basha: Teatër i shëmtuar

TIRANË, 31 janar /ATSH – I. Vata/ – Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e ka konsideruar vendimin e Këshillit të Basenit të Ujërave Drin-Bunë për dhënien në përdorim për pesë vite të ujërave të Llixhave Dibër si abuzive dhe se vendimi i parë do të anulohet, ndërsa kryetari i PD-së Basha e ka konsideruar teatër të shëmtuar, ku sipas tij, vendimi merret thjesht si prishje pazari.

Në fjalën e saj në Parlament, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se Këshilli i Basenit të Ujërave Drin-Bunë në Shkodër, ka marrë një vendim i cili “edhe në këndvështrimin tonë dhe pas analizës që ka bërë zyra e Kryeministrisë, por dhe këndvështrimi tim si e deleguar në Dibër e PS-së, por dhe e shumë përfaqësuesve të qeverisë që u janë përgjigjur shqetësimit të qytetarëve, është një vendim i marrë në mungesë transparence pa kritere të përcaktuar dhe mbase abuziv”.

“Është bërë një hetim administrativ mbi këtë vendim të Këshillit të Basenit Drin-Bunë dhe të hënën do të mblidhet Këshilli i Basenit dhe do anulojë vendimin e parë. Por jo vetëm që do të anulohet vendimi i parë, por dhe do të merren masa për të gjithë ata që kanë marrë këtë vendim në mënyrë abuzive”, tha ajo.

Në replikë e tij, lideri i opozitës Lulzim Basha e ka konsideruar teatër të shëmtuar deklaratën e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka.

“Teatër i shëmtuar ky i deputetes. Këtu kemi një problem, thjesht është prishur pazari dhe ai që ua shtrëngon fijet të dyve, në veçanti të deleguarës së Dibrës, do një pazar tjetër, njësoj siç është prishur pazari tek Unaza e Re”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.