Kuvendi miraton projektligjet në rendin e ditës

TIRANË, 31 janar/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 76 vota pro Aktin Normativ nr. 2, datë 19.12.2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”.

Në përfundim të diskutimeve të seancës plenare, Kuvendi miratoi me 76 vota pro edhe projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”, si dhe projektligjin “Për ratifikimin letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 78 vota pro dhe 2 abstenim edhe kërkesën e më shumë se ¼ së deputetëve të Kuvendit, anëtarë të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim “Për ngritjen e komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimin e ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë e tij si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme, apo detyra të tjera shtetërore”.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shpreh se kryetar i këtij komisioni do të jetë Enkelejd Alibeaj (PD) dhe zv.kryetare Ermonela Felaj (PS).

Ndërkohë, Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit “Për propozimin e Bahri Shaqirit në postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Po ashtu, Kuvendi miratoi me 77 vota pro edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 74/2018 “Për ngritjen e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 100/2017 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

Në përfundim të seancës plenare, Kuvendi miratoi me 77 vota pro edhe ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për realizimin e reformës zgjedhore të ndryshuar. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.