Kuvend/ Në seancë plenare disa projektligje të rëndësishme

TIRANË, 31 janar ATSH/ – Kuvendi do të shqyrtojë sot në seancë plenare Dekretin e Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Po ashtu Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e më shumë se ¼ së deputetëve të Kuvendit, anëtarë të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim “Për ngritjen e komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve të pushtetit ekzekutiv dhe të institucioneve të tjera shtetërore në pajisjen e z. Gent Cakaj me “certifikatë të sigurisë” dhe zbatimi i ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në cilësinë e tij si zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme, apo detyra të tjera shtetërore”.

Kuvendi sot gjithashtu do të shqyrtojë aktin normativ nr. 2, datë 19.12.2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar.
Kuvendi do të marrë në shqyrtim edhe projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar”.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr. 40/2012”

Kuvendi do të shqyrtojë sot edhe projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 74/2018 “Për ngritjen e Komisionit të Pavarur për Koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Si dhe projektvendimin “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 100/2017 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.