Kodi i Sjelljes në mbrojtjen e të dhënave, leksion nga Gjermania

TIRANË, 31 janar /ATSH – I. Vata/ – “Nëpunësi i mbrojtjes së të dhënave dhe kodet e sjelljes sipas Rregullore së Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave të BE (GDPR)”, ka qenë sot tema e trajnimit për stafin e Zyrës së Komisionerit Publik.

Në trajnim morën pjesë dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

I ftuar si lektor ishte Stefan Niederer, nga Autoriteti Federal i Gjermanisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Lirinë e Informimit.

Ai prezantoi për të pranishmit rolin dhe funksionet e nëpunësit të mbrojtjes së të dhënave (DPO), në referencë të neneve 37-39 të GDPR, pozicion ky që përfshihet në të gjithë procesin e grumbullimit/përpunimit dhe atë të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve.

Po ashtu, u trajtuan kodet e sjelljes sipas neneve 40-41 të Rregullores së Përgjithshme, të cilat nxisin standarde të larta në informimin, transparencën, përgjegjshmërinë dhe mbrojtjen e të dhënave nga “kontrolluesit dhe/ose përpunuesit”.

Trajnimi është pjesë e aktiviteteve të “Projektit të Binjakëzimit Antikorrupsion Shqipëri-BE”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.