Hapet aplikimi për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit

TIRANË, 31 janar/ATSH/- Nga 1 shkurti hapet aplikimi për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Në zbatim të urdhrit të Ministrit të Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 150 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.

Kriteret e përgjithshme për pranimin në Akademinë e Sigurisë e këtyre kandidatëve: të jenë shtetas shqiptarë; të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil; të kenë zotësi të plotë për të vepruar; të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht, për të kryer detyrën; të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje; të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie; të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”.

Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë për t’u pranuar në këtë cikël janë: të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë): të jenë në moshë jo më shumë se 29 vjeç; të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”; të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat; të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT.

Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 1 shkurt 2019 deri në datë 15 shkurt 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.

Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit:

– Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga mesatarja e mesatares së ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në të njëjtin profil arsimor, si dhe ata me mesatare të njëjtë sipas institucionit ku aplikanti ka përfunduar shkollimin; vlerësimi i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT; intervistimi i aplikantëve; kontrolli shëndetësor; marrjes së shenjave të gishtave; verifikimi përfundimtar i aplikantit.

Kjo hapje e Policisë së Shtetit për të rekrutuar studentë të diplomuar me rezultate të larta, bëhet pas ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, me qëllim afrimin e kapaciteteve profesionale për strukturat e hetimit të Policisë Kriminale, parandalimit të pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik, me gradën “nënkomisar”.

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit fton dhe nxit të gjithë studentët që kanë kryer ciklin e studimeve që përmbushin kriteret, të marrin pjesë në garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.