FOTO/ Leksione të hapura në Muzeun Historik

TIRANË, 31 janar /ATSH/ – Muzeu Historik Kombëtar çeli një rubrikë të re në gamën e gjerë të aktiviteteve të institucionit, një seri leksionesh publike, të hapura për publikun e gjerë të kryeqytetit e të mbarë vendit.

Ky cikël leksionesh organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Nju Jorkut Tiranë dhe Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Prof. Fatos Tarifa ishte lektori i parë i kësaj rubrike.

Tema për të cilën Prof. Tarifa referoi përpara një publiku të gjerë dhe emrave të njohur të diplomacisë shqiptare, titullohej: “Ndryshimet demografike globale dhe ndikimi i tyre ne gjeopolitiken euro-aziatike”.

Ndryshimet demografike dhe gjeo-ekonomia po sjellin ndryshime të thella në rolin dhe ndikimin e fuqive të mëdha në botën e sotme. Duket se rëndësia e fuqisë ushtarake po ia lë vendin fuqisë gjeo-ekonomike, pra politikës përmes instrumenteve gjeo-ekonomike.

Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duket se janë aktorët kryesorë gjeoekonomikë në kohën tonë. Prezantimi i Prof. Tarifës u përqëndrua në rajonin e gjerë të Euroazisë. Ai trajton rolin në rënie të Europës, si dhe mundësinë e krijimit të një rendi të ri botëror që do të përcaktohet nga e ardhmja e marrëdhënieve mes dy fuqive të mëdha aziatike: Kinës dhe Rusisë.

Prof. Tarifa solli të dhëna të reja, si dhe argumente interesantë që vënë në punë intelektin dhe imagjinatën tonë. /a.a/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.