Braçe: Thirrja për protestë nuk ka lidhje me qytetarët e këtij vendi

TIRANË, 31 janar/ATSH/ – Sot mbi 90 % e sipërmarrjes në këtë vend, e vogël dhe e mesme, do të paguajë nga 0- 5% të tatim fitimit.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili theksoi se “nuk ka numër më të madh sesa ky që kemi rimbledhur ne me politikën fiskale për biznesin e vogël dhe atë të mesëm”.

“Që nga janari këtij viti ne i kemi rimbledhur shqiptarët. Nuk i kemi rimbledhur për qëllime të pastra politike, por i kemi rimbledhur në mënyrë të qartë për interesat e tyre ekonomike dhe ato familjare”, – nënvizoi Braçe.

Sipas tij, çdo thirrje që vjen sot për t’u mbledhur në 16 shkurt apo mars, prill, maj, qershor nuk ka lidhje me qytetarët e këtij vendi, por me interesat personale të një grushti njerëzish që e kanë qeverisur këtë vend dy herë dhe dy herë kanë bërë gjithçka për veten e tyre, por kurrë për qytetarët e këtij vendi.

“Sot, që nga 1 janari e në vijim të gjithë njerëzit që merren me bujqësinë në fshat i kemi mbledhur edhe njëherë për t’i nënshtruar një tatim të ri për inputet e tyre bujqësore për punën e tyre me tokën në bujqësi e blegtori duke e çliruar nga tatimi mbi vlerën e shtuar duke e bërë atë zero”, theksoi Braçe duke shtuar për të gjitha inputet në import, por edhe në transkasionet e brendshme.

Zv/kryeministri Braçe u shpreh se “na duhet një punë akoma më e madhe në javët në vijim në mënyrë që e gjithë masa fiskale që kemi ndërmarrë të kthehet në produkt të prekshme të matshëm për çdo bujk të vendit”.

“Është gjysma e popullsisë që po jeton sot në fshat merret me bujqësi dhe blegtori që është rimbledhur nga kjo politikë fiskale që kjo qeveri, ky parlament, ky grup parlamentar bëri realitet pas 23 vitesh”, theksoi Braçe.

Ai bëri të ditur gjithashtu se për të gjithë ata që merren me agroturizëm e kemi bërë tatimin mbi fitimin 5% për një periudhë 10-vjeçare në mënyrë që t’u japim atyre një mundësi të re.

“Të gjithë ata që shkojnë në Greqi për të mbledhur ullinjtë të rikthehen me qëllim që të bëjnë një punë më të mirë në tokat e tyre, në familjet e tyre, të ngrenë njësi agroturistike dhe të paguajnë më pak taksa, seç paguajnë në Greqinë fqinje”.

Braçe tha se “gjithashtu kemi bërë 6% tatimin mbi vlerën e shtuar për të gjithë ata që do të merren me agroturizëm që është më ulët në gjithë rajonin”.

“Janë 15-16 masa që i adresohen drejtpërdrejt qytetarëve në fshat dhe qytet, sipërmarrës të vogël dhe të mesme, madje punëtorë, nëpunës, menaxherë, të cilët që nga 1 janari paguajnë më pak tatim mbi të ardhurat nga paga veçanërisht nga fasha 130-150 mijë lekë, pra 100-200 mijë më pak nga të ardhurat e tyre që shkojnë drejtpërdrejt në xhepat e tyre”, tha Braçe. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.