Bashkia e Elbasanit, 15 mijë libra për bibliotekat e shkollave

TIRANË, 31 janar/ATSH/- Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë një nismë për të pasuruar bibliotekat e shkollave në qytet dhe në njësitë administrative. Një fond i konsiderueshëm prej 15 mijë librash do të shpërndahet në të gjitha shkollat duke shtuar jo vetëm fondin e librave, por edhe cilësinë e tyre.

Shpërndarja e librave për pasurimin e bibliotekave nisi në njësitë administrative Shirgjan e Shushicë ku vetë kryetari i bashkisë Sejdini, i shoqëruar edhe nga Prefekti i qarkut Gledian Llatja theksuan rëndësinë e shpërndarjes së dijes.

Kryetari Sejdini tha se kjo nuk do të jetë nisma e vetme, ajo do të vijojë më tej në mënyrë që bibliotekat e shkollave të jenë të plotësuara me të gjitha materialet që u nevojiten fëmijëve.

“Bashkia Elbasan ka planifikuar që në të gjitha shkollat e kësaj të ndajë një sasi të konsiderueshme librash. Bëhet fjalë për 15-mijë libra që do të jenë fonde për bibliotekat e shkollave në dobi të nxënësve”. Kjo iniciativë është e para, por nuk është e fundit. Ne do të vazhdojmë të rrisim nivelin e librave, llojshmërinë e tyre dhe ajo që është më e rëndësishme në këtë nismë kemi edhe përkrahjen e biznesit”, nënvizoi Sejdini.

Kreu i bashkisë së Elbasanit shpreson se kjo nismë do t’u shërbejë fëmijëve, por po ashtu do të jenë një ndihmesë e madhe për mësuesit e gjuhës dhe letërsisë, sepse kemi zgjedhur ata tituj të nevojshëm dhe të domosdoshëm në programin e mësimdhënies.

Ai vuri në dukje gjithashtu iniciativën për akses në internet falas në çdo njësi administrative.

Sipas Sejdinit, të gjithë do të kenë mundësi të lundrimit dhe të marrjes së informacionit në internet në kohë reale.

“Risi tjetër është edhe interneti falas në çdo qendër të njësive administrative, dhe këto ditë presim të firmosim kontratat. Kjo do t’u shërbejë të gjithëve pasi është një risi edhe në shkallë kombëtare. Ne i kushtuam shumë vëmendje dhe menduam t’i vijmë në ndihmë rinisë”, tha Sejdini.

Prefekti Llatja vlerësoi bashkinë e Elbasanit për këtë iniciativë e cila synon të pasurojë bibliotekat e shkollave dhe si rrjedhim, cilësinë e mësimdhënies.

“Ky është hapi i parë për shpërndarjen e librave në të gjitha njësitë administrative, hapi i dytë do të jetë shpërndarja e librave në gjuhë të huaj. Kjo për arsyen se gjuha e huaj është e rëndësishme dhe sidomos fëmijët duhet ta mësojnë sa janë të vegjël dhe sa më afër librave të jenë aq më mirë do të përvetësojnë”, tha Llatja.

Gjithashtu, shtoi ai, me projektin e konkretizuar nga bashkia e Elbasanit për shpërndarjen e internetit falas në të gjitha qendrat e njësitë administrative do kemi mundësi në të ardhmen të bëjmë edhe bibliotekat dixhitale.

Në fondin prej 15 mijë librash bëjnë pjesë klasikët botëror si Balzaku, Heminguej, Hygo etj vepra letrare këto që u vijnë në ndihmë të gjithë nxënësve./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.