Punësimi i studentëve në administratë, shtyhet afati për aplikimet

TIRANË, 30 janar /ATSH – I. Vata/ –  Në rubrikën “Jam student dhe kam një pyetje”, në platformën e bashkëqeverisjes janë adresuar rreth 900 pyetje nga studentët lidhur mbi Paktin për Universitetin.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se janë adresuar gati 900 pyetje nga studentët, nga të cilat vetëm 20 nuk kanë marrë një përgjigje, për shkak se po procedohen nga Ministria e Arsimit.

“Studentët kanë pyetje që lidhen me një funksionim jo fort të mirë të sekretariateve të universiteteve lidhur me vonesa tek-tuk, lidhur me bllokimin e procesit mësimor dhe janë afro 900 pyetje që janë drejtuar platformës dhe vetëm 20 prej tyre ende nuk kanë marrë përgjigje, sepse ato procedohen me vëmendje nga Ministria e Arsimit dhe marrin përgjigje në kohë reale dhe të gjitha do të marrin përgjigje”, – tha Rama.

Kryeministri “inkurajo të gjithë studentët që të shkruajnë në këtë rubrikë dhe ju them të gjithëve se, pavarësisht problemeve që ka ky moment, janë të natyrshme, të kuptueshme dhe ka ende vështirësi adoptimi nga sekretariate për rregullat e reja”.

Gjithashtu Kryeministri bëri të ditur një shtyrje afati për vendet e punësimit në administratë, pasi sipas tij, shumë studentë që aplikojnë e kanë patur të pamundur të marrin dokumentacionin e nevojshëm për aplikimin.

“Do të bëjmë edhe një shtyrje të këtij afati për t’u dhënë mundësinë të gjithëve të aplikojnë në grupin e parë të vendeve të punës që janë shpallur”, – deklaroi Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu edhe për shtyrje të afatit për listat e disbursimit të tarifave, në mënyrë që studentët të plotësojnë dokumentacionin e plotë dhe të kemi lista të sakta.

“Për të disbursuar të gjithë studentët për tarifat, ne kemi nevojë për lista të sakta studentësh, lidhur me rezultatet e tyre, me situatën e tyre sociale dhe ekonomike, e kjo ka marrë pak kohë për sekretaritë e universiteteve”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.