Koalicioni zgjedhor shqiptar në Mal të Zi, Bushati: Dëshmia më e mirë e maturisë politike

TIRANË, 30 janar/ATSH/ – Pas arritjes së marrëveshjes mes partive politike shqiptare në Mal të Zi, ka ardhur edhe reagimi i ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati duke e cilësuar këtë marrëveshje si një moment mjaft të rëndësishëm dhe të shumëpritur për bashkëkombasit tanë në këtë shtet.

“Përpjekja dhe angazhimi konstant me të gjithë aktorët politikë, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi i dha frytet. Me përgjegjshmëri politike dhe mision qytetar, faktori politik shqiptar ka nënshkruar sot marrëveshjen e koalicionit zgjedhor, duke formalizuar pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore në Tuz përmes një liste të përbashkët “Forumi Shqiptar” me sloganin “Malësia na Bashkon”. Ky hap, që përbën një moment të shumëpritur për bashkëkombasit tanë në Malin e Zi, është dëshmia më e mirë e maturisë politike, dhe në të njëjtën kohë përbën një tjetër arritje domethënëse për politikën tonë të jashtme dinamike e konstruktive në rajon. Suksese të mëtejshme Komunës Tuz!”, theksoi Bushati. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.