FOTO/ Margariti: Teatri i Operas i rikthehet publikut në fund të 2019

TIRANË, 30 janar/ATSH/ – Në Teatrin Kombëtar të Operas, ku po ndërhyhet pas më shumë se 60 vitesh, po vijon puna për rehabilitimin e investimit më të madh në kulturë të qeverisë shqiptare.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektoi punimet në TKOB, ku së bashku me ekipin e inxhinierëve dhe drejtuesve të projektit u njoh nga afër me fazat e punës në kantier, me punimet e ndërtimit, punimet strukturore, ku vlen të theksohet ecuria e mirë e punimeve të brendshme, por edhe të instalimeve mekanike dhe elektrike.

“Shpreh angazhimin e qeverisë shqiptare në një projekt madhor, projekt i munguar prej 6 dekadash në investime në Art dhe Kulturë. Ky investim, që kap shifrën e 1.5 miliardë lekëve, synon t’i rikthejë dinjitetin e munguar artistëve. Punimet po vijojnë me ritme intensive. Bazuar në këto ritme pune të kantierit besojmë në një përfundim të këtij projekti në fund të vitit 2019”, – u shpreh Margariti.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit shumëfishon hapësirat si për publikun, por edhe për artistët, të cilët do të kenë ambiente më komode për prova. Projekti i rehabilitimit synon një Teatër të Operas dhe Baletit tërësisht të modernizuar, ku ndryshojnë të gjitha pajisjet e vjetra mekanike të viteve ‘50 dhe automatizohen krejtësisht në shërbim të publikut edhe të artistëve.

Punimet po vijojnë me ritme intensive ku vlen të përmendim punimet strukturore që janë drejt përfundimit si: Platforma e re e publikut, ballkonet e reja, sistemi i ri i akustikës, gropa e re e orkestrës, nënskena, etj.

Gjithashtu po vijon puna edhe në punime të tjera që nga termoizolimi, rritja e vëllimit të godinës, ballkonet e skenës, galeritë e auditorit, sallat e provave me panele të lëvizshme, perdet e lëvizshme, dyshemetë.

Përveç fasadës, i gjithë teatri në brendësi do të ndryshojë pamje pas më shumë se 6 dekadash ekzistencë. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.