Vjen në jetë El’Ana, 50-vjeçarja me aftësi të kufizuara bëhet nënë

TIRANË, 29 janar/ATSH/- Një 50-vjeçare me aftësi të kufizuara është bërë nënë e një vajze në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, pas një shtatzanie të vështirë, që ia doli të finalizohej me sukses, falë kujdesit të ekipit mjekësor të këtij materniteti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila e ka ndjekur nënën paraplegjike prej disa muajsh, e vizitoi në spital, duke i garantuar edhe kujdesin e mëtejshëm për të dhe të porsalindurën.

Zenepe dhe Gëzim Pirja janë një çift me aftësi të kufizuara, të cilët me dëshirën e madhe për t’u bërë prindër, i janë drejtuar maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Në gusht të vitit 2018, Gëzimi iu drejtua me e-mail ministres Manastirliu me kërkesën për ta mbështetur për qëndrimin në spital dhe për vijimin e shtatzanisë së gruas së tij.

“Përshëndetje znj. Ogerta. Unë jam Gëzimi, bashkëshorti i Zenepes. Të dy si çift jemi me aftësi të kufizuar (karrige me rrota) dhe së bashku jemi takuar në ambientet e punishtes Mirësia, ku ju keni shpërndarë karrige me rrota. Por, sot po ju drejtohem personalisht për një arsye shumë më madhore. Bashkëshortja ime Zenepja është shtatzënë dhe jemi shumë të lumtur për këtë mrekulli. Por, do t’ju lutesha të na ndihmonit që shtatzaninë Zenepja ta kalojë në spital për shkak të vështirësisë së madhe që paraqet rasti ynë”, thuhej në email-in që Gëzimi i drejtoi ministres Manastirliu.

Ministrja Manastirliu i është përgjigjur menjëherë dhe prej 5 muajsh, çifti Pirja jetonin në një dhomë të posaçme në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

Gjatë kësaj kohe, ata kanë ndjekur biznesin e tyre familjar (një kopsht për fëmijë) nga dhoma e maternitetit nëpërmjet sistemit të kamerave. Shtatzania nuk ka qenë e lehtë, por është finalizuar me sukses.

Dje ka ardhur në jetë El’Ana që gëzon shëndet të plotë bashkë me nënën e saj. Prindërit shprehen se e kanë quajtur El’Ana (Zoti na u përgjigj) dhe falënderojnë ministren dhe stafin e përkushtuar të maternitetit për ndjekjen dhe kujdesin gjatë kësaj shtatzanie të pazakontë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.