Soreca: Shqipëria, përparime të rëndësishme kundër krimit të organizuar

TIRANË, 29 janar/ATSH/ – Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, theksoi rëndësinë e progresit të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, si një nga pikat kyçe që do ndikojë në vendimin e Bashkimit Europian në qershor.

“Këshilli i BE-së në qershor të këtij viti do të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Një nga prioritetet kyç, në bazë të së cilave ky vendim do të marrë parasysh janë rezultatet konkrete që Shqipëria do të arrijë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Soreca në fjalën e tij në konferencën “Mjetet në luftën kundër krimit të organizuar: Masat parandaluese pasurore dhe masat brenda sistemit të burgjeve në eksperiencën italiane”.

Ambasadori Soreca u shpreh se “ka pasur përparime të rëndësishme në muajt e fundit si nga pikëpamja e ndërtimit të institucionit të gjyqësorit me krijimin e dy këshillave të parashikuara nga kushtetuta, ka pasur operacione të rëndësishme, si dhe arrestime të rëndësishme”.

Sipas tij, tani është momenti për të vazhduar konsolidimin e mëtejshëm të këtyre veprimeve me rezultate konkrete dhe me vendime të rëndësishme.

“BE e mbështet këtë veprim, këtë aksion nga pikëpamja politike dhe financiare, por edhe operative”, shtoi Soreca.

Kreu i BE-së, Soreca theksoi gjithashtu se “konfiskimi i pasurive të paligjshme është i rëndësishëm në parandalimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Autoritetet shqiptare të eksperimentojnë dhe përmirësojnë aktivitetin në sektorin e masave parandaluese”, tha Soreca.

Soreca u shpreh se “ne presim vendime përfundimtare të konfiskimit, por është edhe një sinjal i progresit që ky vend po bën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Prania ime këtu sot është për të dëshmuar rëndësinë që kjo temë ka për BE-në”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.