Rrëshqiti blloku shkëmbor, ARRSH: Segmenti Lin-Pogradec i hapur

TIRANË, 29 janar /ATSH – I. Vata/ – Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se segmentin rrugor Lin-Pogradec është i hapur për drejtuesit e automjeteve, pas rrëshqitjes së një blloku shkëmbor që solli vështirësi në qarkullim.

Në një njoftim për mediet, ARRSH  shprehet se “si pasojë e reshjeve të javëve të fundit, si dhe nga temperaturat shumë të ulëta shoqëruar me ngrica, në segmentin rrugor Lin-Pogradec ditën e sotme u aktivizua rrëshqitja e një blloku shkëmbor mbi trupin e rrugës”.

Po ashtu, ARRSH thekson se qarkullimi i mjeteve në këtë aks nuk është bllokuar për asnjë moment, sepse qarkullimi kryhet në bypass-in e rrugës, i cili është jashtë kantierit, pra jashtë zonës ku ka ndodhur shembja e masivit shkëmbor duke mos rrezikuar përdoruesit e rrugës nacionale.

Kontrata për ndërtimin e rrugës është ende aktive, ndaj këto ngjarje janë pjesë e riskut të punës ndërtimore. Me ndërhyrjen e menjëhershme të ARRSH-së dhe ngritjen e grupit të punës u morën masa për plotësimin me sinjalistikën e nevojshme brenda kantierit, si dhe normalizimin e situatës. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.