Parqet natyrore, pika të forta të zhvillimit të qëndrueshëm turistik

TIRANË, 29 janar/ATSH/ “Parqet natyrore janë pika të forta të zhvillimit të qëndrueshëm turistik dhe ekonomik, ndaj dhe nevojitet përfshirja e banorëve që jetojnë afër këtyre zonave për zhvillimin e tyre”.

Kështu deklaroi sot prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, gjatë takimit të parë të Komitetit Rajonal të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore.

“Bashkëpunimi dhe përfshirja e banorëve që jetojnë afër këtyre zonave të mbrojtura është shumë i rëndësishëm, sepse asnjë zonë nuk mund të mbrohet e zhvillohet pa kontributin e banorëve, që kanë jetuar e menaxhuar në kohë këto zona”, tha ai.

Një pikë e fortë e përmbushjes së këtyre detyrave, sipas Prefektit, “është edhe edukimi dhe sensibilizimi i brezit të ri dhe të gjithë banorëve, për rëndësinë e veçantë që mbartin këto zona”.

“Çdo institucion kompetent, por edhe mediet lokale duhet të punojnë fort në drejtim të promovimit të vlerave të Zonave të Mbrojtura, si një pasuri e përbashkët që na ka falur natyra”, tha Prefekti Aliaj.

Komiteti Rajonal i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore e shtrin veprimtarinë e tij në territorin e qarkut Gjirokastër dhe në pjesën e Zonës së Mbrojtur që shtrihet edhe në qarkun e Korçës, sipas rrjetit të zonave të mbrojtura mjedisore të miratuara, përfshirë këtu edhe parqet natyrore bashkiake.

Aktualisht në territorin e qarkut Gjirokastër ka rreth 62492 ha Zona të Mbrojtura, ose rreth 22% e territorit, ku përkatësisht janë të ndara në katër zona të mbrojtura të kategorive të ndryshme sipas Qendrës Botërore të Ruajtjes së Natyrës:

– Rezerva Strikte Natyrore “Bredhi i Kardhiqit” (kategoria I), bashkia Gjirokastër;
– Parku Kombëtar “Bredhi i Hotovës-Dangëlli” (kategoria II), bashkia Përmet;
– Monumenti i Natyrës “Bredhi i Sotirës” (kategoria III), bashkia Dropull;
– Parku Natyror “Zagori” (kategoria IV), bashkia Libohovë.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.