“Paketa e gjelbër”, libër për nxënësit te “Ardian Klosi”

TIRANË, 29 janar /ATSH/ – Edukimi i brezave është mënyra më e mirë për të kultivuar dashurinë për natyrën dhe kujdesin që të gjithë bashkë duhet të tregojmë për ta mbrojtur atë. Ekspertët mjedisor vlerësojnë se edukimi mjedisor duhet të jetë pjesë integrale e kurrikulave të shkollave, që në klasat e para.

Kjo po ndodh në shkollën 9-vjeçare “Ardian Klosi”, megjithëse në këtë rast edukimi i vogëlushëve po bëhet si një iniciativë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në zbatim të fushatës ”Krijo oksigjenin tënd” ku u shpërnda edhe paketa e gjelbër, një libër për edukimin e nxënësve për mjedisin.

“Ky libër i bukur i bërë me kaq shumë dashuri nga ekspertët e Mjedisit është bërë aq i mirë sa për çdonjërin nga ju që dini tashmë të lexoni kur ta merrni në dorë do kuptoni që është një libër, që ju shton dashurinë për natyrën, ju shton dashurinë për pemët, ju shton dashurinë për kafshët, i mëson nxënësit e të gjitha niveleve se për të pasur më shumë dashuri për natyrën duhet ta fillojmë këtë edukim që në moshë të re, që në moshën tuaj”, u shpreh ministri Klosi, gjatë një aktiviteti me nxënës të shkollës “Ardian Klosi”.

Ministri i kërkoi fëmijëve të bëhen pjesë e fushatës ”Krijo oksigjenin tënd” për të mbjellë pemë, si simbol dashurie për natyrën dhe jetën.

”Në datën 1 mars ne kemi ditën e pemëve ku do t’u kërkojmë gjithë fëmijëve në gjithë Shqipërinë që të mbjellin një pemë që ta kenë gjatë gjithë jetës së tyre ta dinë se ku e kanë mbjellë, ta rrisin atë dhe ta kenë atë si një simbol që ne e duam natyrën, e duam Shqipërinë që të jetë e bukur dhe e pastër”, tha ministri Klosi, i cili në përfundim të bisedës brenda në shkollë, doli bashkë me nxënësit për të mbjellë pemë në oborrin e shkollës.

“Prandaj unë do të doja shumë që këto pemë që do të mbjellim ne sot dhe pemët që do mbjellim më 1 mars, çdo familje ose çdonjëri nga ju të mbjellë qoftë edhe një pemë të vogël, të kujdest për të dhe kur të bëheni shumë të mëdhenj, të dini se ku është mbjellë pema juaj para shumë vitesh”, tha ministri Klosi. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.