Mblidhet KLGJ, caktohen 25 kandidatët magjistratë

TIRANË, 29 janar/ATSH/- Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi të martën mbledhjen e radhës, ku vendosi caktimin dhe publikimin e numrit maksimal të kandidatëve magjistratë, profili gjyqtar, prej 25 kandidatë që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi caktimin e 25 kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë, që do të pranohen për të ndjekur programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020.

Përveç përcaktimit të numrit maksimal të këshilltarëve dhe ndihmësve ligjorë dhe në funksion të transparencës këtij procesi, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Plotësimit të Kritereve të Kandidatëve për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë, që do të pranohen për të ndjekur programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.