Lezhë/ Miratohet buxheti 2019, financohen 69 projekte infrastrukturore

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Janë rreth 69 projekte ku do të investohet në Lezhë gjatë vitit 2019, pjesa më e madhe e të cilave synon përmirësimin e infrastrukturës.

Këshilli bashkiak i Lezhës miratoi sot buxhetin e vitit 2019, buxhet i cili parashikon një sërë investimesh publike në shërbim të qytetarëve, të parashikuar në çdo njësi administrative.

Brenda pak javësh, do të nisë puna për sistemimin e lagjeve “Besëlidhja”, “Nënë Tereza”, rrugës “Hydajet Lezha’’, rrugës ‘’Faik Konica’’, rrugës ‘’Çamëria’’ pranë Bordit të Kullimit, ’’Princat e Kuvendit’’ pranë lagjes “Gurra”, sistemim i lagjes së Spitalit, ndërhyrje në lagjen “Skënderbeg”, rikonstruksionin e rrugëve në brendësi të qytetit etj.

Investimet do të prekin çdo njësi administrative, ku është parashikuar sistemimi i qendrave dhe ndërhyrje në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.

Buxheti po ashtu parashikon likuidimin e 1 miliard lekë borxhe të trashëguara nga ish-komunat dhe bashkia përpara reformës territoriale, si dhe nga detyrimet përmbarimore apo shpronësimet.

Po ashtu një zë të rëndësishëm në buxhet zënë investimet në arsim.

Sa i takon bujqësisë, vëmendja kryesore do të jetë sërish në kullimin e tokave, ndërsa përparësi do të kenë zonat me risk më të lartë përmbytjeje. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.