BE: Marrëveshja Shqipëri-Frontex, garanci kundër migracionit të paligjshëm

TIRANË, 29 janar /ATSH – I. Vata/ – Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përshëndeti hyrjen në fuqi të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Agjencisë Europiane të Rojeve Kufitare.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri thotë se hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Europiane të Rojeve Kufitare dhe Bregdetare Frontex, the European Border and Coast Guard Agency në të ardhmen do të kontribuojë për rritjen e sigurisë dhe garantimin e një menaxhimi më të mirë të migrimit të parregullt në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin.

“Negociata për marrëveshje të tilla kanë përfunduar me partnerë të tjerë të Ballkanit Perëndimor. Menaxhimi i kufijve shqiptarë mbetet kompetencë e autoriteteve shqiptare. Agjencia u ofron vetëm ndihmë dhe mbështetje autoriteteve kompetente kombëtare, në frymën e bashkëpunimit të ndërsjelltë”, shpjegon delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, sqaron se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me pezullimin e vizave, por një bashkëpunim Shqipëri-BE për migracionin.

“Nuk ka lidhje mes hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe mekanizmit për pezullimin e vizave. Është në interes si të Shqipërisë ashtu dhe të BE-së që të rrisin më tej bashkëpunimin e tyre për migracionin dhe sigurinë”, shprehet delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.