Basha me të rinjtë e Shkodrës: Do hartojmë ligj me standard europiane për Arsimin e Lartë

TIRANË, 29 janar/ATSH/- Partia Demokratike me të ardhur në pushtet do të anulojë Ligjin e Arsimit të Lartë për të ndërtuar një paketë të re ligjore.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e qytetit të Shkodrës u shpreh se PD ka ngritur një grup pune për të hartuar një ligj të ri modern për Arsimin e Lartë.

“Dje kemi marrë një vendim me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Kur Ligji kaloi, ne e kundërshtuam në Parlament dhe anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë do të jetë akti i parë që qeveria e Partisë Demokratike do të ndërmarrë. Por kjo nuk mjafton. Ne duhet të nisim tani punën për hartimin e një ligji të arsimit të lartë, të standardeve dhe parimeve europiane”, tha ai.

Basha tha se “ligj për arsimin me standarde europiane do të thotë, transparencë në cilësinë e mësimdhënies, do të thotë mbështetje me fonde publike siç e kërkon Kushtetuta e Shqipërisë, institucionet e Arsimit të Lartë, të cilat janë publike, siç është Universiteti i Shkodrës. Dhe fondet për të mbështetur këta studentë, ekzistojnë”.

“Por vullneti i mbrapshtë i kësaj qeverie dhe i këtij kryeministri, në vend që këto fonde t’i çojë për uljen e tarifave, në vend që t’i çojë për përmirësimin e kushteve të konvikteve dhe në tërësi kushteve të studentëve, në vend që t’i çojë në përmirësimin e auditorëve ia ka dorëzuar 4-5 njerëzve përmes kontratave korruptive”, tha Basha gjatë takimit me të rinjtë e qytetit të Shkodrës. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.