Ambasadaroja Schutz: Me rëndësi që Reforma në Drejtësi të ecë përpara

TIRANË, 29 janar/ATSH/- Ambasadorja gjermane në Shqipëri, Susanne Schütz reagoi sot për rastin e prokurorit Bujar Sheshi.

Schütz është shprehur se e rëndësishme është që procesi të realizohet dhe Reforma në Drejtësi të ecë përpara.

“Nuk i njoh të gjitha detajet e procesit, por për mua është mjaft e rëndësishme të theksoj edhe njëherë se për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian është shumë e rëndësishme që reforma në sistemin e drejtësisë të mund të ecë përpara. Dimë gjithashtu se këshillat përkatës KLP dhe KLGJ janë duke punuar në këtë drejtim pikërisht që Reforma në Drejtësi të mund të zhvillohet edhe në të ardhmen. Dhe sigurisht po kaq e rëndësishme është që edhe qytetarët të mund të ruajnë besimin e tyre tek institucionet”, tha Schutz.

Deklarata e Schutz erdhi pas ceremonisë së zhvilluar sot në ambientet e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit e Shtetit (AIDSSH), ku Ambasada gjermane në Tiranë, në kuadër të projektit “Edhe Muret Kanë Veshë, mbledhje e dëshmive gojore të viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të së kaluarës komuniste në Shqipëri”, dhuroi një arkiv digjital dhe një platformë komunikimi, që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi të kaluarën komuniste dhe të inkurajojë dialog mes universiteteve, studiuesve, komuniteteve lokale, të mbijetuarve të diktaturës dhe familjeve të tyre, ​medias e publikut të gjerë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.