Tarifat dhe bursat, Shahini: Buxheti në dispozicion të universiteteve

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, informoi sot mbi procesin e jetësimit të vendimeve të qeverisë për tarifat dhe bursat.

Përmes një deklarate për shtyp, Shahini reagoi pas shqetësimeve të paraqitura nga studentët te portali shqiperiaqeduam.al, lidhur me paqartësitë për bursat dhe tarifat.

Qeveria, tha ajo, ka ndarë buxhetin dhe e ka vënë në dispozicion të institucioneve të arsimit të lartë për të përgjysmuar tarifat, ndërkohë që tani jemi në procesin e mbledhjes së informacionit për bursat.

Përgjysmimi i tarifës, sipas Shahinit, ka hyrë në fuqi menjëherë dhe studentët përfitues e kanë ndjerë efektin, pasi nuk janë detyruar të paguajnë tarifën e plotë”.

Shahini tha se “kemi marrë informacion nga universitetet që studentët që e kanë paguar tarifën e plotë, tani janë në proces të marrjes së rimbursimit”. “Kjo do të zgjasë disa ditë ose javë, por të gjithë studentët që e kanë paguar tarifën e plotë po përfitojnë nga përgjysmimi i tarifës dhe do të rimbursohen”, theksoi ministrja.

Ndërkohë, Shahini tha se “universitetet do të shtyjnë afatin, që është data 31 janar, për pranimin e dokumentacionit të nevojshëm për bursat, që t’u lihet pak më shumë afat studentëve që u përkasin kategorive të ndryshme në nevojë të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm.

“Ka pasur paqartësi se kush është përfituesi i bursave dhe si kalkulohet nota mesatare 9-10, pra kush janë studentët ekselentë, dhe si aplikohet për të përfituar në njërën nga këto kategori të veçanta”, tha ministrja.

Për notën mesatare 9 dhe 10, ajo sqaroi se “merret parasysh mesatarja e vitit paraprak, për ata studentë që kanë shlyer të gjitha detyrimet e vitit paraprak”.

Për studentët e vitit të parë të studimeve të ciklit të parë, sipas Shahinit, “merret parasysh nota mesatare e shkollës së mesme dhe e maturës”.

Ky informacion, theksoi ajo, u është dërguar sot të gjitha universiteteve, ndërsa pritet që për studentët e vitit të 2 dhe të 3, universitetet t’i bëjnë vetë kalkulimet.

Po ashtu, Shahini sqaroi se “për kategori të veçanta, si studentët në ndihmë ekonomike etj, deri vitin e kaluar bursa është ndarë në bashkëpunim mes universitetit dhe bashkive, por realisht bashkia ka nxjerrë listat përfundimtare”.

Sivjet, sipas saj, bursat jepen nga qeveria me kalkulimet që i bën universiteti, duke pranuar dokumentacionin e studentëve.

“Studentët duhet të marrin një vërtetim në bashki dhe mbi atë vërtetim dhe dokumentacionet e tjera që kërkon universiteti, të përfitojë bursën. Pas aplikimeve, janë bordet e studentëve që miratojnë listat përfundimtare”, tha ajo.

Ministrja theksoi se “në universitetet që nuk kanë punuar sekretaritë për shkak të studentëve që kanë bllokuar hyrjet, ka qenë e vështirë të mblidhet dokumentacioni i studentëve”.

Ndaj, ajo u kërkoi universiteteve të vihen në punë aty ku ka pasur vonesa të tilla. “Në të gjitha universitet ku nuk është mbajtur mësim i rregullt ka qenë e pamundur të sigurohet listëprezenca e studentëve dhe të dihet saktë se kush është student në këtë semestër dhe kush nuk është, kush ka qenë duke protestuar dhe kush nuk është regjistruar fare në këtë semestër. Kështu që ju bëj apel që të zëvendësoni orët e humbura sa më parë, që sekretaritë të kenë informacion sa më të detajuar dhe të mos kemi vonesa në disbursimin e bursave”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.