Nënshkruhet kontrata për ngritjen e laboratorit të gjuhës japoneze në Universitetin Politeknik

TIRANË, 28 janar/ATSH/ – Ambasada e Japonisë në Shqipëri i ka dhuruar një shumë prej 42119 euro Universitetit Politeknik të Tiranës, për të siguruar pajisje të reja për ngritjen e një laboratori të gjuhës japoneze në universitet.

Më 28 janar, Ambasada e Japonisë nënshkroi kontratën e grantit me Universitetin Politeknik të Tiranës për të ofruar një ndihmë financiare me vlerë 42119 euro për të mbështetur “Projektin për Ngritjen e Laboratorit të Gjuhës Japoneze në Universitetin Politeknik të Tiranës”, si pjesë e skemës së qeverisë japoneze (Asistenca Zyrtare për Zhvillim) për të mundësuar projekte kulturore. Kjo është hera e parë që qeveria japoneze zbaton këtë skemë në Shqipëri.

Universiteti është aktualisht instituti i parë arsimor dhe i vetëm i avancuar në Shqipëri që ka ofruar një kurs për gjuhën japoneze, i cili funksionon që nga viti 2016. Projekti do të ofrojë pajisje profesionale dhe bazë si kompjuterë, një tabelë elektrike, kamera për konferenca, televizor, etj.

Ngritja e Laboratorit të gjuhës japoneze do të përmirësojë mjedisin arsimor në të cilin zhvillohet procesi i mësimdhënies së gjuhës japoneze dhe do të thellojë mirëkuptimin dhe interesat e studentëve, përsa i përket gjuhës dhe kulturës japoneze. Përveç kësaj, do të jetë një platformë për studentët shqiptarë dhe japonezë për të shkëmbyer njohuri dhe mendime në fushën e shkencës dhe teknologjisë, në të cilën Japonia është një lider botëror.

Në ceremoninë e nënshkrimit, ambasadori i Japonisë, H.E Makoto Ito afirmoi angazhimin e qeverisë së Japonisë për të arritur një trajnim më të plotë, cilësor dhe më të thellë të gjuhës japoneze. Ai gjithashtu shprehu dëshirën e tij që studentët shqiptarë të vazhdojnë studimet e tyre në Japoni, ose të përgatiten për JPLT (Japanese – Language Proficiency Test).

Rektori i Universitetit Politeknik, prof. dr. Andrea Maliqari e vlerësoi këtë donacion dhe shprehu dëshirën për bashkëpunim të mëtejshëm, me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve përmes shkëmbimit të njohurive në lidhje me shkencën dhe teknologjinë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.