FOTO/ Partneritet i ri mes institucioneve shëndetësore dhe Universitetit të Mjekësisë

TIRANË, 28 janar/ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me studentët e Fakultetit të Mjekësisë lidhur me “Paktin për Universitetin”.

Gjatë këtij takimi ministrja Manastirliu dhe studentët shkëmbyen ide për të ndërtuar një partneritet të ri mes institucioneve shëndetësore dhe fakulteteve të Universitetit të Mjekësisë dhe për t’u bërë gati së shpejti për nënshkrimin e marrëveshjes mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Universitetit të Mjekësisë së Tiranës.

Disa ditë më parë, Manastirliu tha se “partneriteti i MSHMS me studentët do të zhvillohet në tre drejtime kryesore: në punësim, në lidhje me praktikat dhe proceset administrative të punësimit në mjekësi, të cilin duhet ta realizojmë me praktikën e vlerësimit dhe konkurrencës, në kërkimin shkencor që do të mbetet një prioritet në kuadër të kontributeve që Ministria do të japë për tre fakultetet e saj”.

Po ashtu, është shprehur ajo, është shumë i rëndësishëm kontributi dhe pjesëmarrja e studentëve që të bëhet e mundur kjo nismë.

“Studentët do të jenë kontributi kryesor për zhvillimin e arsimit, i cili është i lidhur drejtpërdrejtë me mjekësinë”, ka thënë ministrja Manastirliu./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.