FOKUS – Pikat kryesore të mosmarrëveshjeve franko-italiane

PARIS, 28 janar /ATSH-AFP/ – Tonet u rritën sërish nga Parisi dhe Roma duke dëshmuar për një degradim të gjatë të marrëdhënieve mes dy fqinjëve.

Italia akuzon Francën se po përkeqëson krizën migratore duke varfëruar Afrikën, nëpërmjet frangës afrikane (CFA), duke shkaktuar kështu një krizë të re diplomatike.

Më poshtë vijojnë pikat kryesore të mosmarrëveshjeve franko-italiane:

Imigracioni

Që prej ardhjes në pushtet në qershor 2018, qeveria populiste italiane kritikon Francën për “hipokrizinë” e saj në dosjen e migrantëve.

Matteo Salvini, ministri i Brendshëm dhe kreu i partisë Liga (ekstremi i djathtë), akuzon prej muajsh presidentin francez, Emmanuel Macron se po i jep mësime Italisë, që ka vendosur të mbyllë dyert e saj për anijet e OJQ-ve, duke refuzuar migrantët në kufirin franko-italian duke u sjellë sikur Italia të ishte një “kamp i rëndomtë refugjatësh”.

Libia

Qeveria italiane akuzon Francën se është në origjinë të kaosit aktual në Libi, pasojë e ndërhyrjes së saj ushtarake në vitin 2011 që synonte të rrëzonte gjeneralin Gedafi, duke vlerësuar se situata e paqëndrueshme në këtë vend, nxit më shumë imigracionin.

Ish-fuqi koloniale që mban marrëdhënie historike me Libinë, Italia kërkon të rimarrë dosjen libiane.

Libia është gjithashtu në zemër të çështjeve të rëndësishme ekonomike, kryesisht ato të naftës nëpërmjet kompanive ENI (itaiane) dhe ”Total” (franceze), që të dyja të pranishme në vend.

Terroristët

Duke përfituar nga arrestimi në Bolivi (pas 37 vitesh) të ish-aktivistit të ekstremit të majtë, Cesare Battisti, të ekstraduar drejt Italisë për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, Matteo Salvini i kërkon Francës që t’i dorëzojë 14 terroristë të tjerë.

Matteo Salvini, që është gjithashtu kreu i Ligës (ekstremi i djathtë), thekson se Franca strehon prej dekadash “vrasës që kanë vrarë të pafajshëm” dhe është shprehur i gatshëm të shkojë të takojë presidentin, Macron në Paris për të përparuar mbi këtë dosje.

Çështjet ekonomike

Franca akuzohet rregullisht se zhvillon tregti në Itali, pas blerjes së “Parmalat” në industrinë agro-ushqimore apo “Fendi” dhe “Gucci” në atë të luksit, por duket se ka vendosur barriera që të ndodhë e kundërta.

Fakti që Parisi dhe Berlini kanë thërritur Komisionin Europian për shqyrtimin e blerjes së “Chantiers de l’Atlantique” nga grupi italian “Fincantieri”, ka bërë që kryeministri italian Giuseppe Conte të irritohet.

Për më tepër Roma ankohet vazhdimisht për sjelljet e kompanisë franceze “Vivendi”, që është aksioneri i parë i “Telecom Italia” (Tim) dhe aksioneri i dytë i “Mediaset”, kompania e familjes së Silvio Berlusconi. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.