Benet Beci emërohet drejtor i KESH

149

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i shoqërisë KESH sh.a ka pranuar sot dorëheqjen e Administratorit të Shoqërisë, Agron Hetoja dhe ka emëruar Benet Becin në detyrën e Administratorit të shoqërisë.

Përmes një njoftimi për shtyp, KESH sh.a falënderon Hetojën për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në drejtimin e shoqërisë dhe i uron Becit suksese në detyrën e Administratorit të shoqërisë.

“E pranova me kënaqësi këtë propozim si shenjë të besimit, por si mundësi që përvojën time prej shumë vitesh si menaxher dhe drejtues, ta zbatoj edhe në një sektor tjetër strategjik, siç është KESH”, tha Beci, pas emërimit drejtor i Korporatës Elektronergjetike Shqiptare.

Që prej vitit 2005, Benet Beci është drejtor Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i krijuar në vitin 1993 me fonde të donatorëve të huaj me mision zbutjen e varfërisë në zonat rurale.

Kush është Benet Beci?

Benet Beci ka kryer studimet universitare në Fakultetin e Ekonomisë në vitin 1987, ato master në administrim biznesi me një temë mbi sistemin bankar në vitin 2003 dhe doktoraturën në vitin 2015 me një temë mbi zhvillimin rajonal.

Ai ka kryer edhe një sërë specializimesh të tjera brenda dhe jashtë vendit, kryesisht në sistemin bankar dhe atë të mikrofinancës, analizës financiare e menaxhimit të riskut, por edhe mbi partneritetet publik-privat dhe inovacionet në qeverisje.

Gjatë karrierës së tij, Benet Becit i janë besuar detyra të rëndësishme sidomos në sistemin bankar, ku ka pasur disa pozicione, nga të cilat më i spikaturi ka qenë ai i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Por Beci ka një përvojë të gjerë edhe në menaxhim financiar në institucione të financimit rural.

Sidoqoftë pa dyshim, detyra më e rëndësishme ka qenë ajo e drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, një institucion publik që implementon projekte zhvillimi në nivel lokal dhe kombëtar. Beci e ka drejtuar me sukses këtë post që prej vitit 2005 deri më sot.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.