Shpresë për familjen Kuqi në Elbasan-Jetojnë në kushte të vështira, por brenda tre muajve do të kenë shtëpi të re

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Familja e Llazar Kuqit në fshatin Kuqen të Elbasanit do të ketë shtëpi të re, brenda tre muajve, pasi banesa ku ata jetojnë sot nuk plotëson as kushtet minimale të jetesës. Kryeministri Edi Rama ishte pranë kësaj familjeje ku u prit me emocion nga anëtarët e saj. Nëna e shtëpisë i kishte shkruar dy letra Kryeministrit dhe nuk e besonte se ai ishte aty, për ta vizituar dhe për ta nxjerrë nga gjendja e vështirë ku ndodhet familja e saj.

“Kam shkruar dy letra. I thashë burrit që t’i shkruajmë Edi Ramës se ai do na rregullojë, po ai thoshte që s’kemi për t’u rregulluar, ka dy muaj në spital”, tregoi gruaja.

Kryeministri Rama pasi pa nga afër gjendjen e vështirë të shtëpisë, premtoi se punimet do fillojnë shumë shpejt, ndërsa do gjehet mënyra për një sistemim gjatë kësaj periudhe.

“Përpiqemi sa të mundemi po nuk është kollaj, do bëjmë çfarë të mundemi. Edhe shtëpia e madhe jona kështu është, ka pjesën që mund të rrihet, dhe pjesën që s’mund të rrihet. Duhet të durojmë e të luftojmë, se nuk bëhet ndryshe”, tha kryeministri Edi Rama.

Në fund të vizitës, Kryeministri premtoi se për tre muaj maksimumi familja do të ketë shtëpinë e re.

Banesa e familjes Kuqi në Kuqen të Elbasanit pas u dogj disa kohë më parë, ndodhet në gjendje të mjeruar dhe gjithë çfarë pikon jashtë bie brenda. Tashmë, familjarët e saj kanë një dritë shprese se diçka do të rregullohet në jetën e tyre për një të ardhme më të mirë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.