Përfundon këndi i ri i lojërave pranë stadiumit “Arena Kombëtare”

TIRANE, 27 janar/ATSH/-  Këndi i 40-të i lodrave në Tiranë ndodhet pranë stadiumit “Arena Kombëtare”. Një zonë e degraduar deri pak javë më parë, falë ndërhyrjes të Bashkisë së Tiranës, ajo është transformuar tërësisht: mjedise çlodhëse, shatërvan, rrugica me pllaka dekorative, ndriçim, stola, kosha, pemë dhe lule. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me deputeten e PS, Vasilika Hysi dhe donatorët inspektuan përfundimin e punimeve, ku theksoi se shprehja bashkimi bën fuqinë në Tiranë vlen më shumë se kudo tjetër.

“Në tollovinë tipike shqiptare, ku çdo gjë është kthyer në kompensim prone, e privatizuar, e zaptuar, e legalizuar, e hipotekuar, mundëm të gjejmë një hapësirë dhe të ‘qërojmë’ disa prona, të cilat i shpëtuan kësaj zallamahie. Me agjencitë e bashkisë dhe me miqtë donatorë e filluam punën për vit të ri dhe e mbaruam në më pak se një muaj. Një punë kolosale për të transformuar një hapësirë urbane në Njësinë 2”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Nisur nga suksesi i projektit për ndërtimin e këndeve të lodrave në çdo lagje, edhe në këtë lulishte fëmijët e zonës do të gjejnë një hapësirë ku mund të luajnë. Kryebashkiaku Veliaj kërkoi bashkëpunimin e banorëve për mirëmbajtjen e investimit dhe ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe biznese të tjera, për të kontribuar në shtimin e këndeve të lojërave edhe në zona të tjera.

Edhe për 2019-n, në fokus të punës së Bashkisë së Tiranës do të jenë fëmijët. Krahas angazhimit për të vijuar planin ambicioz për ndërtimin e këndeve të lojërave nëpër lagje, këtë vit Bashkia e Tiranës do të nisë me ndërtimin e 17 shkollave të reja, për t’i dhënë fund pas 30 vitesh mësimit me dy turne në kryeqytet. “Ndihem shumë krenar që e fillojmë vitin sërish me fokus tek fëmijët. Ky do të jetë një vit ku jo vetëm do të vazhdojmë me këndet e lojërave, çdo muaj nga një, por do të jetë po ashtu një vit ku do të fillojmë 17 shkollat e reja. Pesë të parat do të fillojnë në muajin shkurt dhe më pas çdo muaj do kemi nga 4-5 shkolla. Do të jetë viti i parë ku në zgjedhjet lokale nuk do të diskutohet më për mësimin me dy turne, sepse ka marrë zgjidhje, por do të duhet të shikojmë se si do të vazhdojnë të jenë epiqendra, siç janë të familjes sonë të vogël, ashtu edhe të familjes sonë të madhe të Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj.

Deputetja e PS, Vasilika Hysi falënderoi bashkinë për vëmendjen e shtuar ndaj komunitetit të kësaj njësie dhe u bëri apel edhe kompanive të tjera për të kontribuar për qytetin.

Për herë të parë, në këtë lulishte u integrua edhe rrugica e bimëve kacavjerrëse si jargavanë e trëndafila, bimësi autoktone e qytetit të Tiranës, ku më së shumti gjendet në shtëpitë e vjetra tiranase, nga ku ngjyrat edhe aroma çlodhëse do t’i sjellin qytetit një peizazh dhe ndjesi unike. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.