Bulqizë/ Parandalohet grabitja e një bankomati, arrestohen të dyshuarit

TIRANË, 27 janar/ ATSH/- Policia e Bulqizës ka parandaluar grabitjen e një bankomati të një filiali banke të nivelit të dytë, falë reagimit të shpejtë dhe profesional, që identifikoi dhe vuri në pranga autorët e dyshuar.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë në bashkëpunim me DVP Dibër, arrestuan shtetasit: E.A., 31 vjeç dhe F.L., 35 vjeç, banues në Bulqizë (të dy të dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes”).

Këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në orët e para të mëngjesit të datës 26.01.2019, të maskuar dhe me sende të forta, tentuan të vjedhin bankomatin e filialit të një banke të nivelit të dytë në “Lagjen e Re”, Bulqizë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Dibër për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë./af/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.