Platforma e bashkëqeverisjes, qytetarit nga Fieri i kthehet shuma e paguar për rivlerësimin e shtëpisë

TIRANË, 26 janar/ATSH/- Qytetarit Arben Pelari nga Fieri iu kthye shuma e lekëve që kishte paguar tepër për rivlerësimin e shtëpisë së tij, pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me rastin e Pelarit, i cili mori zgjidhje brenda 7 ditëve për problemin e tij.

“Mirëmëngjes dhe me lutjen për këdo që ka një hall me zyrat e shtetit, që të ndjekë shembullin e Arbenit dhe as të mos presë, as të mos kërkojë mik e as të mos paguajë kokërr leku, ju uroj një fundjavë të mbarë”, thekson Rama.

Qytetari Pelari më shkurt 2017 ai kishte bërë rivlerësimin e shtëpisë me ekspertë privatë, pasi e kishte bërë më parë në 2011. Specialistët kanë marrë si referencë çmimin e paguar, kur Pelari e kishte bërë banesën dhe jo atë të përcaktuar në rivlerësim.

Për këtë arsye ai ka paguar një shumë më të madhe se ç’duhej. Pelari iu drejtua platformës dhe ne ankesën e tij kërkon kthimin e shumës që i takon.

“Aplikova për rivlerësimin e shtëpisë. Pasi bëra aplikimin bëra pagesën kundrejt të gjitha rregullave. Më vonë në 2017 u tha që mund të bëhej një aplikim tjetër për rivlerësim për t’i rritur vlerën e pagesës. Ndodhi një gabim. Shkoj në hipotekë dhe u them që na është mbajtur një sasi lekësh e tillë”, nënvizon ai duke shtuar se më thanë që nuk mund të kthehen lekët se kanë kaluar në bankën e thesarit.

Pas gjithë këtyre lëvizjeve që bëra, sqaron Pelari, në këto institucione nuk u zgjidh problemi dhe pastaj iu drejtova platformës.

“U befasuam çdo gjë na doli siç thoshte kryeministri që për 7 ditë do të merret përgjigje. Brenda pak ditësh mora lekët dhe u zgjidh, shpëtova nga ajo sorrollatje./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.