Homazhe në nderim të ish-futbollistit të shquar- Meta: Vasillaq Zëri magjistar i topit

157

TIRANË, 26 janar/ATSH/- Presidenti Ilir Meta bëri sot homazhe në nderim të jetës dhe veprës së personalitetit të shquar të futbollit dhe sportit shqiptar, ish-futbollistit të “Dinamos” dhe të Kombëtares, Vasillaq Zëri, duke vendosur një kurorë me lule dhe duke u përulur me respekt para trupit të të ndjerit.

Pasi i shprehu ngushëllimet familjes Zëri, të afërmve dhe kolegëve, Presidenti Meta, tha për mediet se “është një humbje shumë e madhe dhe tepër e parakohshme për të gjithë sportdashësit, për të gjithë botën e futbollit”.

“Me nderim të veçantë por edhe trishtim të thellë u përula sot për herë të fundit përpara Vasillaq Zërit, këtij futbollisti të madh e të paharruar të viteve ’70-’80, i cili jo vetëm njihej si magjistari i topit, teknikës dhe driblimit, por edhe si gjeneratori i kompozimit të trios së jashtëzakonshme Zëri, Përnaska, Ballgjini, që la gjumë të pashlyera në futbollin shqiptar”, thkesoi Meta.

Meta u shpreh se “do ta nderojmë Zërin edhe si trajner e edukator i fëmijëve dhe brezave të rinj me futbollin, por edhe me vlerat më të mira qytetare.

Vasillaq Zëri, një nga yjet e futbollit shqiptar u nda nga jeta më 25 janar, për shkak të një sëmundje të rëndë, që e mundonte prej disa vitesh.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.