Balluku e Klosi dëgjesë me banorët në Kanionin e Holtës: Pezullim i punimeve

TIRANË, 26 janar/ATSH/- Mbrojtja e pasurive natyrore nga zhvillimi industrial mblodhi sot në Kanionet e Holtës, monument natyror në Gramsh në një dëgjesë me banorë të zonës ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, dhe ministrin e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Në këtë dëgjesë ishin të pranishëm edhe deputeti socialist, Taulant Balla, deputeti Anastas Angjeli, banorë të zonës, etj.

Shqetësimit të banorëve për ndërtimin e një hidrocentrali në kanionin e Holtës, ministrat iu përgjigjen duke garantuar se nuk do të ketë asnjë projekt që prek interesin publik

Ministrja Belinda Balluku theksoi se “këtu janë pezulluar punimet. Kam marr vendimin për pezullimin e të gjitha aktivitetet e HEC-eve që janë licencuar apo që janë në proces licencimi për të bërë një skanim të statusit të tyre juridik, nëse kanë përputhshmëri ligjore dhe kontraktuale. Pra kontratat që janë firmosur nëse i janë përmbajtur subjektet këtyre kontratave qoftë nga ana e afateve apo kushteve, por kemi edhe një kriter shumë të rëndësishëm që është përputhshmëria me impaktin mjedisor që ata krijojnë”.

Duke iu drejtuar banorëve, Balluku tha se “ju duhet të jeni të qetë, sepse ne kemi ndërmarrë jo vetëm për ju, por për gjithë situatën e krijuar me HEC-et deri më sot një tur dëgjesash përsa i përket kësaj problematike, qoftë për zgjidhjen, por edhe impaktin që ka krijuar”.

Sipas saj, duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së pasurive natyre që ne kemi, pasi ato janë pasuria jonë më e madhe.

Një qytetar nga Gramshi tha se “Kanionet e Holtës janë pasuri jo vetëm e këtij komuniteti këtu, por e gjithë rrethit të Gramshit”.

Ndërsa një banor që jeton pranë Kanioneve të Holtës, tha se “gjatë verës këtu vijnë shumë njerëz për ta vizituar, po u ndërtua HEC-i nuk do të jetë më një pikë turistike. Ne këtu në Holtë mbushim ujë të pijshëm si dhe sjellim bagëtitë, sepse nuk kemi vend tjetër”.

Një tjetër qytetar u shpreh se “qeveria po punon shkëlqyeshëm, ju falënderojmë për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës. Kam besim tek brezi i ri, zonja Balluku do ta bësh apo do ta anulosh ndërtimin e HEC-it, po e anulove do futesh në histori”.

Ministrja Balluku u përgjigj se “këtu ne i kemi pezulluar punimet”.

Ndërsa ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi në fjalën e tij kërkoi ndjesë për ata që janë shqetësuar për zhvillimet në këtë kanion.

“Si ministri ne kemi disa muaj që jemi futur në fushatën e vendosjen së një raporti të drejtë të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe ruajtjes së zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së mjedisit. Kjo është detyra e të gjithë atyre që duan që në Shqipëri të kemi një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë, industrisë dhe turizmit, por të gjitha këto të bëhen në ekuilibër me mbrojtjen e qëndrueshme të mjedisit”, nënvizoi Klosi.

Këtu, shtoi ai, jemi të dëgjojmë opinionet njerëzve dhe do të jemi në shërbim të tyre.

Edhe pezullimi i investimeve në këtë HEC, tha Klosi, është shprehje e një opinioni publik dhe dëgjueshmërisë që institucionet shtetërore kanë mbi opinionin e drejtpërdrejtë të njerëzve ku ata jetojnë.

Deputeti i Partisë Socialiste dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se “në emër të 7 deputetëve të qarkut të Elbasanit dhe grupit parlamentar të PS e falënderoj Belindën jo vetëm për vendimin që mori këtu në Holtë, por një numër të madh HEC-esh që nuk janë vënë në funksion të ekonomisë së vendit. Një pjesë tjetër duhen verifikuar në çdo rast. Procesi i pezullimit do të shoqërohet nga një proces shumë sqimatar për të parë letër për letër dhe detaj më detaj të gjithë projektin me garancinë që një qime floku t’i preket kësaj bukurie do shkohet në anulim”.

Sipas tij, çdo aset duhet të vihet në dispozicion të zhvillimit të ekonomisë por se duhet të gjendet një ekuilibër midis nevojës së zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së bukurive natyrore.

“E gjithë vëmendja jonë është për ju, për banorët e Gramshit dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm dhe të zakonshëm të vendit. Të jeni të sigurt se ne do e mbajmë fjalën që dhamë”, theksoi Balla.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli tha se “dëgjesa me qytetarët ka qenë thelbi i qeverisjes së qeverisë Rama dhe është pikërisht kjo filozofi dëgjimi i zërit tuaj që na solli për ta ridëgjuar, por edhe për të reflektuar dhe komunikuar me ju për ato problematika që janë ngritur rreth kësaj zone zhvillimor. Ne jemi për rregullim e jo prishje, për përmirësim e përkeqësim”.

Lidhur me çështjen për zhvillimin e dy tre veprave energjetike, Angjeli theksoi se ” padyshim që ne jemi që Gramshi t’i zhvillojë këto sektorë, por t’i zhvillojë duke mos dëmtuar, të zhvillojmë energjetikën duke mos dëmtuar turizmin, ambientin, as bujqësinë dhe as blegtorinë.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.