Lleshaj: Minoriteti grek, pjesëmarrje në strukturat e Policisë së Shtetit

TIRANË, 25 janar/ATSH/ – Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot në Dropull se “do të ishte një investim i madh për Policinë e Shtetit tonë, por dhe për miqësinë tonë, edhe për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, që pjesëtarë të minoritetit etnik grek të bëhen pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit tonë”.

Në një takim të organizuar në bashkinë e Dropullit për parandalimin e krimit, banorët e zonës patën rastin të shtrojnë probleme, të drejtojnë pyetje dhe të japin opinione për çështje që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë publike.

Në këtë takim, të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme holandeze, morën pjesë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, prefekti i Qarkut, përfaqësues të Policisë, Prokurorisë dhe zv.ambasadorja e Holandës në Tiranë.

Në fjalën e tij ministri Lleshaj theksoi se, “besoj se rruga më e mirë për ta bërë këtë dhe, këtu gjej rastin për ta përsëritur këtë thirrje, është që ne duhet t’i shohim djemtë dhe vajzat e minoritetit grek pjesë të Policisë sonë”.

“Ne duhet që Policinë ta konsiderojmë si Policinë tonë. Dhe ka shumë mënyra për t’u afruar me policinë. Së pari, duhet që vetë Policia ta fitojë besimin e qytetarëve, duhet që ajo ta bëjë hapin e parë. Por, duhet që edhe qytetarët të mundohen të gjejnë tek Policia një partner të tyre”, – nënvizoi Lleshaj.

Gjatë takimit banorët vlerësuan nismën si një platformë e mirë komunikimi dhe për rreth 2 orë i drejtuan pyetje panelit si dhe ngritën shqetësime, që hasin në jetën e përditshme. Bashkia e Dropullit, e banuar kryesisht nga minoriteti grek, ka në përbërje 41 fshatra. Zona e Dropullit ka një nivel kriminaliteti ndër më të ulëtit në qark./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.