AUTOMJETE – ‘’Tata Nano’’ makina më e lirë në botë, në fund të rrugëtimit të saj?

NJU DELHI, 25 janar /ATSH-AFP/ – Projektuesi indian i automjeteve ‘’Tata Motors’’ parashikon të ndërpresë prodhimin e  ‘’Tata Nano’’, emblematikes, makinës më të lirë në botë, e projektuar për të pushtuar tregun indian, por që në fakt rezultoi një dështim i vërtetë.

Kompania njoftoi të mërkurën se mund të ndërpresë prodhimin dhe shitjen e këtij modeli nga prilli i vitit të ardhshëm për shkak të futjes së standardeve të reja të sigurisë dhe emetimeve të ndotjes, gjë që do të kërkonte investime të mëdha.

‘’Ne nuk mund të investojmë në modernizimin e të gjitha tipeve të makinave tona dhe ‘’Nano’’ është një prej tyre”, deklaroi për median, Mayank Pareek, menaxher pranë kompanisë ‘’Tata’’.

Prodhuesi kryesor i makinave në këtë shtet të Azisë Jugore me 1,2 miliardë banorë, ‘’Tata Motors’’ lançoi në mënyrë të bujshme në 2009 këtë model mini-qytetas, me një çmim prej rreth 1.500 euro për modelet e para./ /v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.